Netanyahu: Lufta në Gaza do të vazhdojë për shumë muaj,

by admin
Spread the love

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se lufta e vendit të tij ndaj Hamasit në Rripin e Gazës do të vazhdojë edhe për “shumë muaj të tjerë”, duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme ndërkombëtare për armëpushim.

Netanyahu falënderoi administratën e presidentit Joe Biden për mbështetjen e vazhdueshme, përfshirë për vendimin për t’i shitur urgjentisht armë ushtrisë izraelite, për herë të dytë këtë muaj, si dhe për parandalimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte armëpushim të menjëhershëm.

Izraeli argumenton se përfundimi i luftës tani do të nënkuptonte fitore për Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ky qëndrim mbështetet edhe nga administrata Biden, e cila, në të njëjtën kohë, i bën thirrje Izraelit të bëjë më shumë për ta shmangur vrasjen e civilëve.

Në luftimet e reja në fundjavë, avionët luftarakë të Izraelit bombarduan kampet e refugjatëve në Nuseirat dhe Burei në qendër të Gazës, ndërsa këmbësoria e fut më thellë brenda qytetit jugor, Kan Jounis.

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gazë tha të shtunën se më shumë se 21.600 palestinezë janë vrarë nga ofensiva e paparë ajrore dhe tokësore të Izraelit prej se ajo nisi më 7 tetor, kur Hamasi e sulmoi Izraelin jugor. Sipas saj, vetëm në 24 orët e fundit janë vrarë 165 palestinezë.

Ndërkohë, 170 ushtarë izraelitë janë vrarë deri tani në luftime në Gazë, sipas ushtrisë izraelite.

Lufta i ka zhvendosur mbi 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës, dhe e ka shkatërruar shumicën e territorit.

Departamenti i Shtetit tha të premten se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e njoftoi Kongresin se e ka aprovuar shitjen e pajisjeve ushtarake në vlerë 147.5 milionë dollarë. Kjo është hera e dytë këtë muaj që administrata Biden e shmang Kongresin për t’i shitur armë Izraelit urgjentisht.

Më shumë se 120 pengje janë duke u mbajtur në Gazë, pasi pjesëtarët e Hamasit i rrëmbyen më shumë se 240 njerëz gjatë sulmit të 7 tetorit, kur i vranë mbi 1.200 njerëz, kryesisht civilë, në Izrael.


Top Channel

You may also like