Nëse Taravari nuk pranon, Kasami do të jetë kandidati i opozitës shqiptare për president të shtetit

by admin
Spread the love

Nëse Arben Taravari mbetet në qëndrimin se nuk është i interesuar të jetë kandidat për president të shtetit, atëherë atë garë, për koalicionin e partive opozitare shqiptare, do ta zhvillojë Bilall Kasami. Këtë në intervistë për 360 shkallë e tha personalisht Kasami, lideri i Lëvizjes Besa, transmeton Portalb.mk.

“Fillimist u bisedua që të jetë zotëri Taravari, por nuk përjashtohet, ka kombinime që edhe unë të jem”, tha numri një i Besa-s.

Kasami pretendon se biseda me Taravarin në këtë temë nuk ka përfunduar.

“Zotëri Taravari tha se nuk është i interesuar, por ne nuk flasim për interesa personale, për pretendime personale, por flasim për interesin e shqiptarëve për sjelljen e ndryshimeve. Nëse së bahsku vlerësojmë se zotëri Taravari do të jetë kandidati më i mirë për president, unë besoj tërësisht se z. Taravari do të jetë i gatshëm ta zhvillojë këtë garë, aq më shumë që në të gjitha bisedat që kemi pasur, të gjitha konsultimet, z. Taravarin e theksojnë si kandidat serioz që të shkojë në rrethin e dytë”, u përgjigj numri një i Lëvizjes Besa.

Nga vendimi se cili do të jetë kandidati presidencial, varet edhe kush do ta udhëheqë listën e deputetëve të “Lidhjes Evropiane për Ndryshim” në njësinë e 6 zgjedhore. Nëse Taravari është kandidat për shef të shtetit, atëherë Kasami do të jetë bartës liste dhe e kundërta, thotë lideri i Besa-s.

“Parimisht jemi marrë vesh që liderët e partive politike të jenë bartës të procesit, që nënkupton se, në njësitë zgjedhore prej ku vijnë presidentët e partive të caktuara, ata do të jenë bartës në ato njësi zgjedhore. Në njësinë zgjedhore 6 ku jemi së bashku me liderin e Aleancës, kemi marrëveshje parimore që të dytë të jemi bartës të procesit, ende nuk kemi vendosur kush në cilin pozicion të jetë dhe në përputhje me këtë do të varet edhe vendimi ynë për njësinë e 5 zgjedhore. Edhe njëherë, para se të shohim ku do të jetë Besa, ne pamë se cili është pozicioni i cili mund të sjellë ndryshime dhe kur të vijë ky ndryshim, atëherë do ta kemi më të lehtë të ulemi dhe të flasim – kush, ku do të marrë përgjegjësi për qeverisje me shtetin, tha Kasami në intervistë.

Sipas marrëveshjes parimore, bartës liste i LEN-it në njësinë e 1 zgjedhore do të jetë Izet Mexhiti, në njësinë e 2-të zgjedhore – Afrim Gashi. Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Bekim Qoku, edhe pse është nga Struga (NJZ 5), do të jetë në listën e LEN-it në njësinë e 6 zgjedhore.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari deklaroi më 1 shkurt për Portalb.mk, se nuk ka pranuar të jetë kandidat për president shqiptar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai tha se kjo është biseduar si mundësi, por që nuk e ka pranuar. Ishte kryetari i Lëvizjes Besa, Bilalll Kasami i cili më 31 janar tha se është biseduar që Taravari të jetë kandidat president.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare.

MARKETING



You may also like