“Nëse një herë në tre ditë flas me çikën time, me ty s’flas tre muaj”, videot që dëshmojnë shpërbërjen e Listës Guxo

by admin
Spread the love

Disa video-incizime nga një takim i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, me aktivistët e Listës Guxo dëshmojnë shpërbërjen finale të këtij subjektit politik.

Takimi është zhvilluar në fshatin Dubovik të Pejës. Atë e kishte ftuar ministrja Gërvalla. Kishte mbledhur koordinatorët dhe aktivistët e Listës.

Në atë takim, njerëzit që kishin punuar për ta sjellë Osmanin e Gërvallën në pushtet kishin marrë një flakaresh. Aty, Gërvalla u thotë se nuk është në gjendje ta udhëheq Listën Guxo, dhe se me ta nuk mund të hapë parti. Madje i quan të pakualifikuar dhe të pa zotë për politikë.

“Ju nuk jeni kryetar (degësh v.j.) por vetëm vullnetarë”, thotë Gërvalla.

Ndërkaq, koordinatorët e Listës, disa prej tyre ish-kandidatë për deputetë, ankohen për sërë parregullsish. Për ndryshime emrash në momentet e fundit për listën për deputetë dhe mungesë organizimi nëpër strukturat partiake.

Videot shfaqin Nasuf Bejtën, kundërkandidatin e Vjosa Osmanit për president, teksa shprehet i indinjuar nga injorimi që thotë se i është bërë nga Osmani dhe njerëzit në krye të listës pas zgjedhjes së saj në pozitën e presidentes.

Ai thotë se i janë refuzuar takimet me Osmanin. Thotë se nuk i jepej mundësia as ta uronte kundër-kandidaten e tij për president.

“Dëshirën e pata, por nuk m’u mundësua së paku t’ia uroja postin asaj unë si kundër-kandidat. Me i thanë ‘urime’; pata dëshirë një pikturë prej nipit të Fadil Berishës i cili e kishte punuar enkas për Vjosën. Më thanë ‘po,po, po’, por kur e pashë Xhafer Tahirin [në takim] thash ‘e qetash më plasi zemra’”, tregon Bejta.

Pak ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lista “Guxo”, pos tjerash ka mbyllur edhe zyrat. Koordinatorët e pikave në gjithë Kosovën janë braktisur. Asnjëri prej drejtuesve të Listës “Guxo” nuk ua ka hapur telefonin.




You may also like