Ned Price largohet nga posti i zëdhënësit, merr detyrë tjetër në DASH

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price do të largohet këtë muaj nga ky post pas më shumë se dy vjetësh dhe do të marrë një pozicion të ri pranë Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, tha vetë zoti Blinken të martën.

Price e bëri betimin më 20 janar 2021, ditën kur Joe Biden u inaugurua si president. Ai e ka mbajtur këtë post në një periudhë kyçe për politikën e jashtme, gjatë agresionit rus ndaj Ukrainës dhe tërheqjes kaotike të diplomatëve dhe personelit tjetër nga Afganistani.

Në një deklaratë, zoti Blinken tha se zoti Price mbajti më shumë se 200 konferenca me gazetarë, duke vepruar si fytyra dhe zëri i politikës së jashtme të SHBA.

“Ai ka ndihmuar qeverinë amerikane të mbrojë dhe nxisë lirinë e shtypit në mbarë globin dhe ka dhënë shembullin e transparencës dhe sinqeritetit për të cilat ne bëjmë thirrje në vendet e tjera. Ndikimi i tij di të ndjehet në Departamentin e Shtetit për shumë kohë pasi ai të lërë detyrën” tha zoti Blinken.

Shaun Tandon, president i Shoqatës së Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, vlerësoi zotin Price për rikthimin e konferencave të përditshme të shtypit dhe përballjen e tij me pyetjet e vështira të gazetarëve, si në rastin e tërheqjes nga Afganistani.

“Falë Nedit, konferenca e përditshme e shtypit duket tani rutinë dhe kështu duhet të jetë. Ajo ofron një mundësi për shtypin nga e gjithë bota që të shtrojë pyetje për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, shpesh në mënyrë kritike,”, tha zoti Tandon në një deklaratë. “Është një tregues i shëndetit të demokracisë amerikane.”/Voa


Top Channel

You may also like