Drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar, Driton Nebiu, thotë se të punësuarit janë pre e kërcënimeve dhe frikësimeve, për shkak procedurave për shitjen e patundshmërive të të cilat së fundmi janë vënë në ankand. Për momentin në ankand janë banesat e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov nga aktvendimi i plotfuqishëm në lëndën “Perandoria”.
“Besoj se opinioni duhet të informohet për ngacmimet dhe fyerjet për pengimin e realizimit për shitjen e pasurisë së konfiskuar, shitje të cilat kryhen sipas rregulloreve ligjore të Qeverisë së RMV-së. Janë të paraqitura të gjitha problematikat në Prokurori dhe në të gjitha organet e hetuesisë andaj nuk dua të hyjë në detaje.”- deklaroi Driton Nebiu – drejtor i AMPK-së.
“Ne kemi një ditë për çdo ankand që është publikuar nga Agjencia për Pasuri të Konfiskuar, kemi ditë të veçantë ku të gjithë ofruesit mund të shohin se për çfarë banese bëhet fjalë. Në të njejtin objekt ishin të pranishëm pronarë të cilët kanë thënë se ju nuk t’i blini këto banesa për shkak se këto janë tonat.”- tha Driton Nebiu – drejtor i AMPK-së.
Nebiu potencoi se deri tani nuk ka nevojë për frikë dhe se siç thotë, nuk do të lejojë askush të pengojë shitjen e patundshmërive të cilat kanë aktvendim gjyqësor, ndërsa bëri thirrje deri te të gjithë qytetarët që pa frikë të paraqiten në ankandet e Agjencisë. Përndryshe sipas të dhënave nga Agjencia, pasuria e Mijallkovit e cila është në ankand, kapë vlerën prej 330 mijë eurove.