Në vit 9.500 të rinj largohen nga Maqedonia

by admin
Spread the love

Si të bëjmë që të mos largohen të rinjtë është problemi kryesor, ndërsa problem dhe sfidë më e madhe është se si t’i kthejmë ata që tashmë janë larguar. Sipas të dhënave të Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, mbi 9500 të rinj largohen nga vendi në nivel vjetor, që është e dhënë zhgënjyese. Por ka edhe të tillë që kanë vendosur të kthehen pasi që kanë mbaruar studimet në vendet e huaja.

“Unë personalisht kam studiuar jashtë vendit dhe jam kthyer për shumë arsye, mes tyre edhe përgjegjësia, përkatësisht obligimet ndaj shtëpisë, shkurt mund të them se nuk ka më mirë se në shtëpi, megjithatë që kjo të mbetet ashtu duhet të ketë zot shtëpie të mirë”, tha Vojdan Jordanov, kryetar i biznesmenëve slloveno-maqedonas.

Megjithatë Jordanov është një ndër shembujt e rrallë. Sektori privat dhe biznesmenët thonë se po bëjnë gjithçka që është e mundur që të jenë konkurrent në tregun e punës dhe t’u ofrojnë kushte më të mira të rinjve. Por a mjafton paga për një gjë të tillë?!

“Përveç pagës së mirë që është sfidë për të rinjtë, natyrisht se edhe kushtet cilësore për jetesë janë ato që do t’i bënin që të qëndrojnë në vendin tonë”, tha Elena Millevska Shtrbevska, nënkryetare e Odës Ekonomike të RMV-së.

E kushte më të mira për jetë, shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, të mos ketë korrupsion dhe krim, duhet të sigurojnë njerëzit nga pushteti. Edhe pse po thonë se po bëjnë shumë për të rinjtë, megjithatë shtojnë se ky është fenomen global, që nuk e godet vetëm shtetin tonë, por të gjitha vendet e rajonit, madje edhe ato që janë anëtare të BE-së.

“Kjo po na ndodh neve, por i ndodh të gjithë rajonit, duke i përfshirë edhe vendet anëtare të BE-së nga rajoni, siç janë Kroacia, Sllovenia. E dimë se pjesë e madhe e personelit mjekësor dhe kuadro me arsim të lartë po ikin nga Kroacia dhe Sllovenia për në Gjermani, njëjtë është edhe te ne. Këtë nuk po e tregoj nga aspekti i relativizimit, por se bëhet fjalë për fenomen global”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Ministri Nikollovski, për resorin e tij thotë se kanë grante për të rinjtë në bujqësi me lartësi prej 20 mijë eurove, ndërsa shtoi se mundësojnë që përmes angazhimit të vullnetarëve dhe praktikantëve, më pas ata të punësohen në këtë Ministri, nëse i kalojnë me sukses të gjitha proceset.

“Pra, konfirmojmë se pa lidhje, pa privilegje, të dërgojmë mesazh të qartë, nëse kanë mundësi të barabarta dhe nëse vlerësohet cilësia, ata mund ta gjejnë vendin e tyre këtu”, tha Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.

Edhe pse anëtarësimi në BE, kurdo që të ndodhë, do të kontribuojë për ikje më të madhe të të rinjve, sipas shembullit të Kroacisë dhe Sllovenisë, sipas ministrit Fatmir Besimi mesazhi kryesor që mund t’ua dërgojë të rinjve është se BE-në do ta gjejnë këtu, në Shkup, ndërsa siç shton, kjo nuk është vetëm frazë politike, por se si qeveri punojnë për sigurimin e kushteve që të rinjtë të mbeten këtu./TV21

You may also like