Ne shqiptarët jemi preteksti më i fundit për të justifikuar dështimin e projektit ideologjik të Britanisë së Madhe

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg
Lea Ypi

Nga Lea Ypi

Kur isha fëmijë në vendin tim, Shqipërinë e viteve 90-të, babai i një prej miqve të mi ishte një kontrabandist njerëzish. Dikur e thërrisnim B çalamani. B-ja nuk kishte qenë gjithmonë një kontrabandist. Përpara se vendi të kalonte nga një shtet komunist në një shtet liberal, ai punonte me turne në një kantier ku bënte rrjeta peshkimi dhe lustronte varkat.

Ai nuk kishte pamjen e një kontrabandisti – ishte shtatvogël dhe anemik, dhe kur ecte çalonte. Ai nuk zgjodhi të ishte kontrabandist – reformat e privatizimit që shoqëruan ardhjen e pluralizmit politik i detyruan menaxherët e kantierëve të bëjnë shkurtime, kështu që B-ja dhe gruaja e tij e gjetën veten të papunë. Ai as nuk e mendonte veten si kontrabandist: për të ishte një punë, si gjithë të tjerat. Ai paguhej për të ndihmuar njerëzit të arrinin në Itali me gomone dhe paratë i duheshin për të ushqyer fëmijët e tij. Kishte pak frikë, por nuk i vinte turp për punën që bënte. Për dekada, shqiptarët ishin vrarë nga shteti i tyre sa herë që tentonin të kalonin kufirin. Në rastet shumë të rralla në të cilat njerëzit kishin sukses, të afërmit e lënë pas dëboheshin. Më në fund, shqiptarët ishin të lirë dhe B çalamani po i ndihmonte të realizonin ëndrrat e tyre. Ai fliste për këtë me një grimcë krenarie.

Një natë, B çalamani u zhduk dhe nuk u kthye më. Disa thanë se ai u vra; të tjerë thoshin se u mbyt në Adriatik, i ngrënë nga të njëjtët peshq për të cilët ndërtoi rrjeta.

Emigracioni ka qenë një bekim dhe një mallkim për Shqipërinë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ka qenë një bekim sepse pa remitancat nga emigrantët shqiptarë, familjet e tyre do të ishin përballur me ndikimin fatal të reformave neo-liberale të cilat me metodat e tyre drastike premtuan ta kthenin një shtet të dështuar dhe të izoluar komunist në një parajsë të lulëzuar kapitaliste, thuajse ‘sa hap e mbyll sytë’. Ka qenë një mallkim sepse, ndryshe nga ajo çfarë propaganda e Partisë Konservatore dëshiron t’ju bëjë të besoni, askush nuk kënaqet duke lënë pas vendin e tij, aq më pak për hir të të bezdisurit të vendasve diku gjetkë. Edhe duke lënë mënjanë rreziqet e kalimeve të paautorizuara, madje edhe aty ku ka rrugë dhe opsione legale, emigrimi e copëton një familje, dhe largimi i trurit për një shtet mbetet një plagë e hapur që vazhdon dhemb.

Çdo vit shteti shqiptar investon në mjekë dhe infermierë që menjëherë pas diplomimit braktisin vendin e tyre, të joshur nga pagat më të larta dhe kushtet më të mira të jetesës në Perëndim. Kur ju mbështesni një sistem emigracioni të bazuar në pikë ose kur pranoni që Britania të investojë në tërheqjen e emigrantëve me kualifikim të lartë, ju po miratoni – në mënyrë efektive – një formë shfrytëzimi. Shqiptarët do të duhet të punojnë dhe të paguajnë taksa për të moshuarit britanikë për të cilët do të kujdesen infermierët shqiptarë. Spitalet atje do të kenë mungesa në mënyrë që pacientët këtu të vazhdojnë të marrin kujdesin e duhur.

Qeveritë perëndimore vështirë se shqetësohen për këtë. Emigracioni për ta është thjesht një statistikë. B çalamani ishte një nga qindra mijëra shqiptarët, fati i të cilëve u vulos nga shpërngulja. Unë jam një tjetër. Për qeverinë britanike dhe sekretaren e saj të brendshme, Suella Braverman, ne jemi të dy kriminelë.

Një “pushtim” nga shqiptarët – edhe nëse anashkalojmë kuptimin e parë të kësaj metafore, gjasat e të cilës dukshëm janë zero – në një vend me normat më të ulëta të azilkërkuesve në Evropë [si Britania], nënkupton një ndryshim të papritur të tendencave dhe një qëllim të dallueshëm dhe malinj të këtyre subjekteve për të shënjestruar Mbretërinë e Bashkuar. Kur e vërteta është se qysh prej fundit të Luftës së Ftohtë, Shqipëria ka vazhduar të jetë një prej vendeve me shkallën më të lartë të emigracionit për frymë në Evropë, një trend që Kombet e Bashkuara parashikojnë të vazhdojë edhe për të paktën 2 dekada të tjera. Pas krizës financiare të viteve 2008-9, kur BE-ja asfiksoi vende si Greqia (ku më shumë se gjysma e popullsisë së emigrantëve është shqiptare), remitancat ranë në mënyrë të ndjeshme.

Pandemia e Covid-19 i dha një goditje tjetër një shteti tashmë të dobësuar dhe shumë të pabarabartë, pasi shumë biznese u mbyllën dhe kostot e kujdesit shëndetësor u rritën. Nuk ndihmoi as që “aleatët” tanë europiano-perëndimorë grumbulluan vaksina në rezervat e tyre pa u shqetësuar për implikimet afatgjata që kjo do të kishte për vendet e tjera. Por pavarësisht gjithë kësaj, në verën e vitit 2021 dhe pas tërheqjes së NATO-s nga Afganistani, Shqipëria – një vend me 2.8 milionë banorë dhe një nga më të varfrit në Evropë – ra dakord të presë 4,000 refugjatë afganë të refuzuar nga shtetet më të pasura të NATO-s.

Është e vërtetë që vitin e fundit numri i emigrantëve shqiptarë ka ardhur në rritje, si në BE ashtu edhe në Britaninë e Madhe. Kjo është alarmante për Shqipërinë, ama vështirë se do të provokonte kolapsin e një vendi të G7-ës. Shqiptarët e dinë – edhe si pasojë e rrjeteve sociale – se pas Brexit, tregu i Mbretërisë së Bashkuar ka pasur mungesa të konsiderueshme në tregun e punës. Janë punonjësit e BE-së që Britania e Madhe ka humbur si rezultat i Brexit, të cilët ata shpresojnë t’i zëvendësojnë. Ata gjithashtu e dinë se Calais është bërë gjithnjë e më vulnerabil, pasi shkëmbimi i informacionit me autoritetet franceze është tani më i ndërlikuar – lidhjet më të dobëta me agjencitë evropiane do të thotë që oficerët e Mbretërisë së Bashkuar duhet t’u kërkojnë atyre shqiptarë të dhëna që do t’i kishin marrë më parë nga francezët. Me pak fjalë, ky është një problem shumë britanik, më konkretisht ky është një problem shumë konservator.

Aktualisht në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 140,000 shqiptarë, duke filluar nga punëtorët e ndërtimit te mjekët, nga avokatët te pastruesit, nga sipërmarrësit te akademikët. Shumica dërrmuese janë të integruar mirë: paguajnë taksa, mbajnë radhë, u kërkojnë falje edhe objekteve të pajetë, dhe janë betuar për besnikëri ndaj monarkisë. Kur të gjithë etiketohen si kriminelë, dallimet e tyre, historitë e tyre personale, kontributet e tyre në shoqëri, bëhen të padukshme. Ideali i demokracisë është marrë peng nga realiteti i shëmtuar i metaforave luftarake. Kur një grup i tërë pakice veçohet si “pushtues”, projekti i integrimit shkatërrohet. Mbetet vetëm dhuna, një botë e ndarë midis miqve dhe armiqve, që ushqen zemërimin dhe legjitimon armiqësinë.

Shqiptarët janë bërë viktimat e fundit të një projekti ideologjik që i ekspozon pakicat ndaj stereotipeve negative, ksenofobisë dhe racizmit, dhe të gjitha për hir të fshehjes së dështimeve personale politike. Fatkeqësisht, ata vazhdojnë ta shohin Mbretërinë e Bashkuar si një model stabiliteti, integrimi liberal dhe qeverisjeje të mirë. Ata janë njoftuar sigurisht me trazirat e fundit: ishte përmes rrjeteve sociale shqiptare që unë zbulova memen që përshkruan Rishi Sunak si kryeministrin e muajit. Por ata e trajtojnë atë si një rast të veçuar, një çudi që vetëm 3 ditë zgjat. Kjo mund të shpjegojë pse, megjithëse shqiptarët me të drejtë u ofenduan për etiketimin si pushtues, asnjëri prej tyre nuk vuri në dukje paradoksin e trajtimit të shqiptarëve si armiq nga njëra anë, dhe kërkesën ndaj qeveritarëve shqiptarë që të bashkëpunonin si miq nga ana tjetër.

Në përgjigje, autoritetet shqiptare sugjeruan se shteti është i gatshëm të bashkëpunojë me Mbretërinë e Bashkuar për të zgjidhur “krizën” e emigrantëve. Në fakt, ata kanë bashkëpunuar gjatë gjithë kohës, siç e pranoi edhe vetë Braverman. Unë jam skeptike për mundësinë e suksesit në bashkëpunimin me një qeveri që e ka krijuar vetë emergjencën që po përpiqet të zgjidhë.

Por në të vërtetë, çështja në fjalë ka të bëjë me moralin, më shumë se sa me efikasitetin. Vërejtjet e znj.Braverman ishin të kota, fyese dhe të dëmshme për dhjetëra mijëra shqiptarë që kontribuojnë për vendin e tyre të adoptuar, ndërkohë që mbartin traumën e braktisjes së vendit të tyre të lindjes. Si qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar, ne duhet të kërkojmë që ajo të japë dorëheqjen. Si qytetarë shqiptarë, duhet t’u kërkojmë autoriteteve shqiptare të refuzojnë bashkëpunimin para se të kemi marrë fillimisht një kërkesë falje.

Botuar në The Guardian

Lea Ypi është autore e librit ‘Të lirë: Të rritesh në fund të historisë’. Ajo është profesore e Teorisë Politike në London School of Economics.

You may also like