Ne njerëzit e gënjejmë veten se jemi Perëndi, në fakt do të jemi vetëm klone pa kërthizë – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Michel Houellebecq

Mua nuk më pëlqen vetja. Kam shumë pak simpati për veten time, dhe aq më pak vlerësim. Për më tepër, vetë personi im nuk më intereson shumë. Unë i njoh prej kohësh karakteristikat e mia kryesore, dhe përfundova duke ndjerë neveri për to.

Kur isha adoleshent, flisja për veten time, mendoja për veten time, mbushesha me personin tim; sot nuk është më kështu. Jam larguar nga mendimet e mia, dhe vetëm ideja e të treguarit një episod personal më detyron të zhytem në një mërzi aq të madhe, saqë duke sikur jam pranë një gjendjeje kataleptike.

Nëse kjo gjë është absolutisht e detyrueshme, atëherë gënjej. E megjithatë paradoksalisht nuk jam penduar asnjëherë që jam riprodhuar. Mund të thuhet gjithashtu se e dua djalin tim, dhe e dua akoma më shumë sa herë që dalloj tek ai një gjurmë të defekteve të mia të shumta.

I shoh ato të shfaqen me kalimin e kohës me një lloj determinizmi të pamëshirshëm, dhe jam i lumtur për këtë. Më pëlqen pa më të voglin turp të shoh përsëritjen e tipareve të mia personale, dhe rrjedhimisht të përjetësuara, që nuk kanë absolutisht asgjë të dukshme. Karakteristika që janë shumë të neveritshme; dhe që në realitet nuk kanë asnjë meritë tjetër përveç asaj që janë të miat. Gjithsesi, ato nuk janë saktësisht të miat. Për disa prej tyre arrij të kuptoj se e kanë origjinën në personalitetin e babait tim, gjë që çuditërisht nuk ma heq gëzimin.

Kjo ndjenjë është diçka më shumë sesa egoizëm; është diçka më e thellë dhe më e padiskutueshme. Si vëllim është diçka më shumë se sa projeksioni i tij mbi një sipërfaqe të sheshtë; ose si një trup i gjallë është më shumë se hija e tij. Përkundrazi, ajo që më trishton tek djali im, është fakti që e shoh të nxjerrë në pah (Ndikimi i nënës? Ndryshimi i kohërave? Individualizëm i pastër?) tiparet e një personaliteti autonom, në të cilin nuk e njoh fare veten time, që mbetet i huaj për mua.

Por në vend se të mrekullohem, e kuptoj se do të lë pas vetëm një imazh të paplotë dhe të dobësuar të vetes time. Brenda pak sekondash, ndjej më qartë aromën e vdekjes. Dhe mund ta konfirmoj:vdekja kundërmon. Filozofia perëndimore vështirë se e favorizon shfaqjen e ndjenjave të tilla.

Këto janë ndjenja që nuk i lënë vend përparimit, lirisë, individualizimit, të ardhmes. Ato i drejtohen vetëm përsëritjes së përjetshme e të paqartë të së njëjtës. Për më tepër, nuk kanë asgjë origjinale; ndahen nga pothuajse i gjithë njerëzimi, si dhe nga shumica e mbretërisë së kafshëve.

Ato nuk janë asgjë më shumë, se sa kujtesa gjithnjë aktive e një instinkti biologjik dominues.

Filozofia perëndimore është një pajisje trajnimi e ngadaltë, e durueshme dhe mizore, e krijuar për të na bindur mbi disa ide krejtësisht të rreme. E para prej tyre, është se ne duhet t’i respektojmë të tjerët pasi ata janë të ndryshëm nga ne. E dyta është se ne kemi diçka për të fituar nga vdekja.

Sot, për shkak të teknologjisë perëndimore, kjo “bojë e komoditetit” po del me shpejtësi. Sigurisht, unë do të klonohem sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë do të klonohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë do të shkoj në Bahamas, Zelandën e Re apo Ishujt Kajman.

Do të paguaj koston e nevojshme (as imperativët etikë dhe as financiarë nuk kanë peshuar ndonjëherë më shumë, krahasuar me ato të riprodhimit). Unë ndoshta do të kem dy ose tre klone, siç mund të keni ju 2 apo 3 fëmijë; ne lindjen e të cilëve do të respektoj një interval të përshtatshëm (as shumë afër dhe as shumë larg).

Duke qenë një burrë i pjekur, do të sillem si një baba i përgjegjshëm. Do t’u siguroj një edukim të mirë kloneve të mia; dhe në fund do të vdes. Do të vdes pa asnjë kënaqësi, pasi nuk dua të vdes. Megjithatë, derisa të vërtetohet e kundërta, jam i detyruar që ta bëj këtë. Përmes kloneve të mia, do të kem arritur një formë të caktuar mbijetese që nuk është aspak e mjaftueshme, por në çdo rast më e lartë se ajo që do të më kishin garantuar fëmijët. Është më e mira që mund të më ofrojë deri tani teknologjia perëndimore.

Në momentin e shkrimit të këtyre rreshtave, e kam të pamundur të parashikoj nëse klonet e mia do të lindin nga barku i nënës. Ajo që duket teknikisht e thjeshtë për njeriun laik (shkëmbimet ushqyese në placentë, janë më pak misterioze sesa akti i fekondimit), rezulton në fakt të jetë elementi më i vështirë për t’u riprodhuar.

Në rast se teknika rezulton të jetë mjaft e avancuar, fëmijët e mi të ardhshëm, klonet e mi, do të përjetojnë fillimin e ekzistencës së tyre në një epruvetë qelqi. Dhe kjo më trishton pak. Nëse do të zhvillohen brenda një epruvete, klonet e mia natyrshëm do të lindin pa kërthizë. Nuk e di se kush e përdori për herë të parë shprehjen ‘littérature nombriliste’ (letërsi e kërthizës) në një kuptim përçmues. Por e di që nuk më ka pëlqyer kurrë kjo klishe banale. E cili do të ishte interesi i një letërsie që pretendon të flasë për njerëzimin, duke përjashtuar çdo konsideratë personale? Qeniet njerëzore janë shumë më të ngjashme me njëri-tjetrin nga sa mund ta mendoni.

Në pretendimet e tyre komike se janë vetvetja, është shumë më e lehtë të mendosh të arrish universalen duke folur për veten. Dhe këtu shfaqet paradoksi i dytë:të flasësh për veten është një aktivitet i bezdisshëm, madje i neveritshëm. Të shkruarit për veten është në letërsi e vetmja gjë që ka rëndësi, në një masë të tillë që vlera e librave të jetë saktësisht proporcionale me kapacitetin për përfshirje personale të autorit të tyre.

Është groteske, madje e paturpshme po të doni, por kështu është. Në fakt duke shkruar këto rreshta, jam duke menduar për kërthizën time. Zakonisht mendoj rrallë për këtë gjë, dhe është shumë më mirë. Ajo mbart qartazi në vetvete shenjën e një prerjeje, të një nyje të bërë me nxitim.

Është kujtimi i një prerje gërshërësh, përmes së cilës u projektua hyrja ime në këtë botë. Dhe ashtu si unë, as ju nuk do t’i shpëtoni këtij kujtimi. Edhe kur të jeni shumë të moshuar gjurmën e asaj prerjeje, do ta ruani të paprekur në mesin e barkut.

Nga ajo vrimë e mbyllur keq, organet tuaja më të brendshme do të jenë në gjendje të dalin në çdo moment dhe të kalojnë në atmosferë. Ju mund të hapni zorrët në çdo kohë, nën diell; dhe të vdisni një peshk i mbaruar nga një goditje e çizmes mbi shtyllën kurrizore.

Nuk do të jeni i pari dhe as shembulli më ilustrues. Mos harroni fjalët e poetit:Si një peshk i ngordhur, i shkelmuar. Së shpejti do të keni të njëjtin fat:fëmijë pa rëndësi. Do të jeni si Perëndi, dhe kjo nuk do të mjaftojë aspak.

Klonet tuaja nuk do të kenë një kërthizë, por do të kenë një litérature nobriliste. Edhe ju do të jeni nobrilistë; pra të vdekshëm. Kërthiza juaj do të mbulohet me yndyrë dhe do të jetë thënë gjithçka. Pas kësaj, mbi fytyrën tuaj do të hidhet dheu.

Shënim:Michel Houellebecq, një nga shkrimtarët më të njohur sot në Francë dhe nëpër botë. /

“Il Giornale” – Bota.al

You may also like