Ne jemi të përkushtuar për të garantuar sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor

by admin
Spread the love

Këshilli i Energjisë BE-SHBA po mbahet nesër në Uashington me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit transatlantik në fushën e energjisë.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të Jashtme, Josef Borell, tha para takimit se janë të përkushtuar për të garantuar sigurinë energjetike të BE-së dhe fqinjëve të saj, duke përfshirë Moldavinë, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në prag të takimit, Borell shkroi se energjia ka qenë gjithmonë ndër çështjet më të rëndësishme gjeopolitike dhe se tani, me çmimet e larta dhe problemet e furnizimit me gaz të shkaktuar nga kriza me Rusinë, ajo është në krye të rendit të ditës në Bruksel.

Ai tha se është e nevojshme të përballohen këto presione afatshkurtra duke respektuar strategjinë afatgjatë të kalimit në energjinë e gjelbër dhe se Këshilli i Energjisë BE-SHBA në Uashington do të intensifikojë bashkëpunimin transatlantik në këtë front.

Siç theksoi ai, çmimet e energjisë u rritën për shkak të problemeve globale të kërkesës dhe ofertës. Çmimi i gazit në BE është gjashtë deri në 10 herë më i lartë se vitin e kaluar, gjë që rëndon çmimin e energjisë elektrike, si dhe të gjithë tregun e energjisë elektrike në Evropë.

“Kjo tashmë ka rritur inflacionin në fund të 2021. Nëse çmimet e energjisë janë të larta në 2022 me një rritje të inflacionit, kjo do të ndikojë seriozisht në rimëkëmbjen pas pandemisë”, tha Borell.

“Me krizën serioze në marrëdhëniet e BE-së me Rusinë, nuk është bërë vetëm një çështje çmimi, por një çështje e sigurisë së furnizimit”, shtoi ai.

BE-ja importon 40 për qind të gazit të saj nga Rusia dhe 60 për qind e të ardhurave të importit të Rusisë vijnë nga BE.

Kreu i diplomacisë evropiane njoftoi se BE-ja do të bisedojë me Shtetet e Bashkuara për reduktimin e varësisë së saj nga gazi rus.

“Shtetet e Bashkuara janë tashmë furnizuesi më i madh i gazit natyror të lëngshëm në Evropë dhe ne po intensifikojmë bashkëpunimin për të siguruar që ky furnizim të jetë i sigurt në muajt e ardhshëm”, tha Borell. /kosovo-online

You may also like