Në gjimnazin e Dibrës në vitin e parë janë regjistruar vetëm 37 nxënës

by admin
Spread the love

Pas tre afateve të regjistrimit nga periudha e parë e cila u mbajt në muajin qershor, në gjimnazin e Dibrës “28 Nëntori, në vitin e parë, kuota e parashikuar prej 272 nxënësish të rinjë, u plotësua vetëm me 13.6 për qind.

Lajmin e ka konfirmuar për Agjencionin Informativ të Maqedonisë, drejtori Ramadan Imeri.

Sipas tij, janë të regjistruar 37 nxënës, prej të cilëve 14 në gjuhën maqedonase dhe 23 në gjuhën shqipe.

“Dua të theksoj faktin se kemi mbi 100 nxënës që duan të regjistrohen në shkollën tonë të mesme, por problemi ishte regjistrimi online. Presim udhëzime nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës se si të veprohet. Unë sugjerova që regjistrimi të jetë si i viteve të mëparshme, me dorëzim të menjëhershëm të aplikimeve. Jam i bindur se do të gjejmë mirëkuptim”, shton Imeri.

Ndryshe, në bazë të konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, në këtë institucion arsimor kanë mundësi të regjistrohen në vitin e parë 272 nxënës, në tetë paralele, përfshirë në gjuhën shqipe dhe maqedone.

Deri më datë 22 gusht, kur do të mbahet dhe afati i radhës për regjistrim, gjithejt 88 vende nxënësish janë të lira për mësim në gjuhën maqedonase dhe 147 në paralelen për gjuhë shqipe.

You may also like