Në Francë mbahen sot zgjedhjet parlamentare, si funksionon procesi?

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Votuesit në Francë do t’i drejtohen qendrave të votimit të dielën për raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të vendit, përpara një raundi të dytë një javë më vonë.

Kjo vjen pasi Emmanuel Macron fitoi një mandat të dytë pesë-vjeçar si president i Francës në muajin prill, raporton Euronews.

Por pro-evropiani i qendrës duhet të fitojë një shumicë në parlament për të pasur shanset më të mira për të shtyrë politikat e tij.

Kjo ambicie megjithatë mbetet në ekuilibër. Sondazhet tregojnë se koalicioni i tij qendror “Ensemble” është vetëm pak përpara rivalit të tij kryesor të majtë, bllokut NUPES (Bashkimi Ekologjik dhe Social i Popullit të Ri), i udhëhequr nga veterani i majtë Jean-Luc Melenchon.

Sipas sondazhit të Ipsos/Cevipof, koalicioni i presidentit Macron pritet të fitojë midis 275 deri në 315 vende në parlamentin francez, derisa për një shumicë absolute nevojiten 289 vende.

Macron do të shpresojë që mos bëhet Presidenti i parë që nga viti 2002 që duhet të përballet me “bashkëjetesën” – një situatë në të cilin kryeministri nuk është në të njëjtën anë politike dhe presidenti nuk ka shumicën në asamble.

Si funksionon procesi?

Në këto zgjedhje zgjidhen 577 deputetë në Asamblenë Kombëtare për një mandat pesëvjeçar.

Në raundin e parë të votimit të dielën, më 12 qershor, një kandidat duhet të marrë më shumë se 50 për qind të votave për t’u zgjedhur.

Nëse askush nuk e arrin këtë prag, shkon në një raund të dytë votimi (e diel, 19 qershor). Në raund të dytë do të shkojnë ata qe kane fituar më shumë se 12.5 për qind të votave në raundin e parë. Ai që fiton më shumë vota zgjidhet fitues.

Më 12 qershor do të jenë në garë 6,293 kandidatë – që rezulton mesatarisht si rreth 11 kandidatë për një zonë zgjedhore. Prej tyre, 55.8 për qind janë meshkuj (ose 3,514 kandidatë), dhe 44.2 për qind janë femra (2,779 kandidatë).

Si duket formacioni?

Partia e Macron-it dhe aleatët e tij garojnë së bashku, një koalicion centrist i quajtur “Ensemble”.

Ky koalicion përbëhet nga tre parti kryesore – La Republique En Marche (partia e Macronit), Mouvement Democrate dhe Horizons – së bashku me katër parti më të vogla.

Macron gjatë mandatit të parë si president gëzoi një shumicë votash në parlament, por këtë herë ai dhe koalicioni “Ensemble” do të duhet të luftojnë për ta mbajtur këtë.

Në anën tjetër, partia e Melenchon, “La France Insoumise”, është në një koalicion me socialistët, të gjelbërtët dhe komunistët në një shfaqje të papritur uniteti në të majtë.

Aleanca e tij NUPES është e dyta në sondazhe dhe rezultoi mirë në votimin e hershëm midis votuesve jashtë shteti. Por NUPES është një koalicion i brishtë me dallime në disa çështje kyçe, si përdorimi i energjisë bërthamore dhe marrëdhëniet me NATO-n dhe BE-në.

“Les Republicains” po synojnë të jenë grupi i tretë parlamentar më i madh. Megjithëse konservatorët parashikohet të jenë shumë mbrapa koalicionit të Macron dhe koalicionit tjetër, ata mund të bëhen “mbretërbërës” nëse “Ensemble” ka grupin më të madh, por jo një shumicë absolute.

Partia “Rassemblement National” e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen është e treta për sa i përket votave në raundin e parë, por e katërta për sa i përket vendeve të parashikuara.

Kush mund të votojë në zgjedhjet franceze?

Për të votuar, personi duhet të jetë me shtetësi franceze, të jetë 18 vjeç ose më i vjetër, duhet të jetë i regjistruar në listën zgjedhore (sipas Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike janë të regjistruar 48.7 milionë votues).

Rruga Press

You may also like