Ka qenë një kohë kur për dhunën ndaj grave e vajzave nuk flitej fare, sepse ajo nuk raportohej. Në vend të denoncimit, gratë zgjidhnin heshtjen dhe pajtimin me frikën e shtypjen.
Sot po flitet për këtë dhunë, sepse gratë po e denoncojnë atë. Po e denoncojnë, sepse kanë filluar të çlirohen nga ideologjitë që e justifikojnë dhunë mashkullore mbi to.
Denoncimi tregon se ato kanë filluar ta mposhtin frikën, e mposhtja e frikës është hapi i parë drejt çlirimit
Mposhtja e frikës fillimisht i tërbon sundimtarët. I bën edhe më agresivë e të dhunshëm, por në këtë sjellje ata nuk bëjnë tjetër përveçse tregojnë se sundimi i tyre i ka ditët të numëruara.
Si thotë ajo urtia filozofike: Në fillim të përqeshin, pastaj të kundërvihen dhe në fund të pranojnë. Edhe shoqnitë patriarkale njëjtë veprojnë: në fillim e përqeshin emancipimin e grave, pastaj i kundërvihen atij dhe në fund detyrohen ta pranojnë.
Sepse një popull që do të jetë i lirë, nuk mund të jetë i tillë pa lirinë e gjysmës së tij.