Ndërhyrjet e huaja për të përçarë votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve

by admin
Spread the love

Llogari të rreme në rrjetet sociale nga përdorues të huaj e vendas, kanë për qëllim të provokojnë dhe përçajnë votuesit amerikanë, duke vënë në dyshim integritetin e sistemit të votimit në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është një ndër sfidat e shumta në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin amerikan, që mbahen javën që vjen më 8 nëntor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë hollësi nga qyteti Finiks i Arizonës

Llogaritë e rreme në rrjete sociale që besohet se janë krijuar në Rusi, nuk ishin aktive në pjesën më të madhe të vitit, thotë eksperti i zbulimit Brian Liston.

Kjo ndryshoi në gusht, ndërsa po afroheshin zgjedhjet për Kongres.

“Pamë që këto llogari filluan të aktivizohen, duke postuar për mashtrime zgjedhore, ose se zgjedhjet ishin të vjedhura dhe se demokratët do të përpiqen t’i manipulojnë zgjedhjet”, thotë zoti Liston.

Ai është pjesë e një rrjeti të përbërë nga studiues, eskpertë të sigurisë kibernetike, agjenci qeveritare dhe të tjerë, që përcjellin rrjetet sociale, faqet e internetit, mediat shtetërore dhe njoftimet e organeve ligj-zbatuese për të gjurmuar fushatat e koordinuara të keqinformimit nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara si Rusia, Kina dhe Irani.

Faqet e lajmeve të rreme nga organizata të lidhura me qeveritë e këtyre vendeve pëprhapin njoftime përçarëse për Amerikën, të cilat më pas shpërndahen nga persona të rremë në rrjete sociale, që pretendojnë se janë amerikanë.

Qëllimi i Rusisë është përçarja dhe bindja e amerikanëve se sistemi i votimit nuk është i besueshëm, thotë zoti Liston.

Sipas tij, operatorët kinezë vënë në dukje postimet e shumta mbi integritetin e zgjedhjeve, si dëshmi se demokracia amerikane është jofunksionale.

“Edhe pse flasin për manipulime dhe vjedhje votash, unë jam i shqetësuar se ndoshta këto llogari aktivizohen në ditën e zgjedhjeve për të nxitur dhunë ose frikësim të punonjësve elektoralë në qendra të votimit”, thotë zoti Liston.

Në shtetin jugperëndimor të Arizonës, votuesi Dylan Murphy shprehet i shqetësuar për pasojat që keqinformimi në internet mund të ketë në botën reale.

“Shqetësimi im është se persona të huaj mund të përhapin dezinformata dhe teori konspirative përmes rrjeteve sociale, duke përçarë amerikanët në atë shkallë, sa të tejkalojnë rrjetet sociale. Pasojat e këtyre teorive konspirative janë bërë më të dukshme kohët e fundit. Kemi njerëz që vijnë të armatosur në qendrat e votimit në Arizonë”, thotë ai.

Arizona është mes shteteve që ngriti dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale para dy vitesh. Rinumërimi i kërkuar nga republikanët në qarkun Maricopa, konfirmoi përfundimisht fitoren e Joe Biden-it.

Shumë mbështetës të Donald Trump-it vazhdojnë të thonë se zgjedhjet u vodhën, mes tyre edhe kandidatja republikane e Arizonës për guvernatore, Kari Lake.

Zyrtarët elektoralë në qarkun Maricopa thonë se makineritë e votimit nuk janë të lidhura në internet dhe transemetojnë drejtpëdrejt procesin zgjedhor dhe numërimin e fletëvotimeve.

“Përveç sigurimit fizik, ne kemi edhe siguri shtesë në qendrat e votimit, tek bordet dypartiake, vëzhguesit e partive politike dhe gjatë gjithë procesit, që të sigurohemi se çdo fletëvotim është llogaritur dhe që të numërohen vetëm votat e vlefshmet”, thotë Megan Gilbertson nga departamenti i zgjedhjeve në qarkun Maricopa.

Votuesja Mirian Mitchell thotë se këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme vetëm për të ardhmen e Kongresit.

“Ndonjëherë fitojmë, ndonjëherë humbasim. Kur humbasim, urojmë që të kishim fituar, por gjithsesi respektojmë proceset demokratike. Ne e dorëzojmë pishtarin, siç edhe duhet të bëjmë… Kjo është e mrekullueshme në Amerikë. Ky është procesi ynë demokratik. Duhet ta ruajmë atë”, thotë ajo.

Në Arizona tashmë kanë filluar votime e hershme./VOA


Top Channel

You may also like