MYNIH, 5 shtator /ATSH-DPA/- Hetuesit besojnë se të shtënat vdekjeprurëse pranë konsullatës izraelite në Mynih ishin një tentativë për sulm terrorist, thanë sot policia dhe zyra e prokurorit publik.
Gjatë incidentit një 18-vjeçar austriak u qëllua për vdekje nga policia pasi hapi zjarr ndaj pesë oficerëve në qytetin jugor gjerman.
Prokurorët thanë sot pasdite se sulmi besohet të ketë pasur në shënjestër konsullatën izraelite në qendër të Mynihut.
Incidenti ndodhi në përvjetorin e masakrës së Mynihut, një sulm terrorist nga militantët palestinezë – i cili mori jetën e 11 izraelitëve gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1972 në qytet.
Raportet e pakonfirmuara nga Agjencia Austriake e Shtypit sugjerojnë se i dyshuari ishte raportuar më parë në policinë austriake për lidhje të dyshuara me grupin terrorist të Shtetit Islamik.
“Një 18-vjeçar austriak u qëllua për vdekje pasi hapi zjarr sot ndaj oficerëve të policisë pranë konsullatës izraelite në Mynih”, thanë autoritetet.
Ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann nuk e përjashtoi mundësinë që i dyshuari të kishte në shënjestër konsullatën izraelite.
Ministria e Jashtme izraelite tha se asnjë nga punonjësit e saj nuk ishte plagosur, pasi konsullata ishte mbyllur për një shërbim përkujtimor për të kujtuar viktimat e sulmit.
Në Berlin, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser e përshkroi ngjarjen si një “incident të rëndë”. //a.i/