Munishi: Dritës nuk i shënuam më shumë gola se na respektoi

by admin
Spread the love

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka thënë se ekipi tij nuk i ka shënuar Dritës më shumë se një gol për shkak se sipas tij, “i kanë respektuar më shumë se në ndeshjet tjera”.

Gjilani mposhti Dritën të enjten në derbin e Gjilanit me rezultatin 1:0. Kjo ndeshje e luajtur në stadiumin e qytetit të Gjilanit i takoi javës së 15-të të Superligës në futboll.

“Unë vij nga një nivel tjetër i futbollit. Di të shënoj edhe pesë gola, por kësaj radhe na ka respektuar më shumë Drita dhe ne nuk shënuam më shumë se një gol. Ato që na respektojnë nuk do t’i shënojmë më shumë se një gol”, ka thënë Munishi.

Me këtë fitore, Gjilani është forcuar në vendin e parë me 28 pikë, një më shumë se përcjellësi i parë, Ballkani, ndërsa Drita bie në vendin e tretë me 25 pikë.

“Është kënaqësi e madhe dhe të jem i sinqertë fitoren ia dedikojmë tifozëve. Ne kemi treguar fuqi të madhe në këtë kampionat. Gjilani meriton këtë sukses, jemi një klub që meriton respekt për tifozët për kryetarin e klubit. Nëse vazhdojmë kështu, kjo është skuadra kampione me luftë dhe angazhim. Drita ka skuadër të mirë me individ të mirë, por fituam me profesionalizëm dhe i kemi neutralizuar disa lojtar”, është shprehur Munishi.

Gjilani në fundjavë luan ndaj Llapit në Merdarë, ndërsa Drita e pret Dukagjinin.

You may also like