Mourinho: Na mungoi vetëm goli

by admin
Spread the love

Roma zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë në Torino, megjithatë doli duarbosh, pasi tri pikët mbetën te Juventusi vendas, që ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0, falë golit të mesfushorit francez Adrien Rabiot.

Jose Mourinho komplimentoi të tijtë për paraqitjen në “Allianz Stadium”, teksa u shpreh se skuadrës i mungoi vetëm goli ndaj bardhezinjve të Allegrit.

“Bëmë një ndeshje shumë të mirë, duke luajtur me personalitet ndaj një skuadre që është pretendente për titullin. Muri bardhezi është i vështirë për t’u kaluar dhe mund të them me bindje se na mungoi vetëm goli.

Nga ana tjetër, pësuam një gol pak të rrëmujshëm dhe aty u bë edhe më e vështirë.

Nëse nuk do të kishim pësuar, do të rriteshin shanset e shënimit, pasi Juventusi mund të linte më shumë hapësira me kalimin e minutave”, deklaroi portugezi.

Mourinho u shpreh se objektivi i Romës vijon të mbetet një vend në zonën Champions, që do të ishte edhe një ëndërr e realizuar për kampin verdhekuq.

You may also like