MOSKË – Rusia planifikon të marrë pjesë në takimin e OSBE-së

by admin
Spread the love

MOSKË, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Rusia ka planifikuar të marrë pjesë në asamblenë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë, saktësisht një vit pasi nisi pushtimin e saj në Ukrainën fqinje.

“Tani po merremi me marrjen e vizave”, tha nënkryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Lartë të parlamentit rus, Vladimir Dzhabarov.

Ai tha se Austria kishte dhënë garanci se do të jepte viza për të gjithë deputetët rusë.

Rusia mori pjesë për herë të fundit në një takim të OSBE-së në vitin 2021. Në dy mbledhjet e fundit, vendet pritëse si Britania e Madhe dhe Polonia refuzuan dhënien e vizave për delegacionin rus.

Një numër delegatësh rusë janë tani në listat e sanksioneve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës të urdhëruar nga presidenti, Vladimir Putin.

Ministria e Jashtme austriake, nga ana tjetër, ka mbrojtur dhënien e lejeve të hyrjes për rusët për takimin e 23-24 shkurtit, si një detyrim sipas ligjit ndërkombëtar.

OSBE-ja me seli në Vjenë, e themeluar në 1975,  ka 57 anëtarë nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Ajo e sheh veten si organizata më e madhe rajonale e sigurisë dhe konsiderohej një platformë e rëndësishme midis Lindjes dhe Perëndimit deri në luftën në Ukrainë.

“Ne e kuptojmë se të 30 vendet e NATO-s, të cilat janë edhe anëtarë të OSBE-së, do të flasin kundër vendit tonë”, tha Dzhabarov.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like