MOSKË – Rusia mbyll OJQ-në më të vjetër të të drejtave të njeriut

by admin
Spread the love

MOSKË, 25 janar /ATSH-ANSA/- Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, një gjykatë në Moskë vendosi sot mbylljen e organizatës më të vjetër joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Rusi, Grupin e Helsinkit të Moskës, njoftoi sot agjencia “Ria Novosti”.

OJQ-ja u themelua në vitin 1976 gjatë Bashkimit Sovjetik.

Ministria e Drejtësisë ka bërë thirrje për shpërbërjen e saj, duke thënë se organizata ka shkelur statutin e saj duke organizuar të paktën 11 ngjarje jashtë kryeqytetit.

Grupi i Helsinkit në Moskë u themelua për të monitoruar respektimin e Marrëveshjeve të Helsinkit të 1975 nga BRSS dhe për t’i raportuar Perëndimit çdo shkelje të të drejtave të njeriut në vend.

E detyruar të pezullonte aktivitetin e saj në fillim të viteve 1980, OJQ-ja rifilloi veprimtarinë në vitin 1989, falë reformave të epokës së Gorbaçovit.

Shpërbërja e saj u kërkua nga Ministria e Drejtësisë, në fund të dhjetorit të kaluar.

Në vitet 1970, Grupi i Helsinkit të Moskës frymëzoi krijimin e grupeve të ngjashme në vende të tjera të Paktit të Varshavës, duke përfshirë Kartën 77 në Çekosllovaki.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like