MOSKË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Rusia dhe India do të rrisin bashkëpunimin në prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes, tha sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Lavrov u takua sot me homologun e tij indian Subrahmanyam Jaishankar në Moskë dhe tha se bashkëpunimi do t’i shërbejë sigurisë strategjike në Euroazi”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
“Si partnerë strategjikë, diskutuam situatën ndërkombëtare dhe çështjet bashkëkohore. Shkëmbyem pikëpamjet mbi Indo-Paqësorin, konfliktin e Ukrainës, situatën e Gazës, Afganistanin dhe Azinë Qendrore, BRICS, SCO, G20 dhe OKB”, tha Jaishankar në X.
“Gjithashtu theksuam progresin në bashkëpunimin tonë ekonomik, tregtinë e energjisë, përpjekjet për lidhje, bashkëpunimin ushtarako-teknik dhe shkëmbimet njerëz me njerëz”, shtoi ai.
Marrëdhëniet Indi-Rusi pasqyrojnë realitetet gjeopolitike, konvergjencën strategjike dhe përfitimin reciprok.
Ministri i Jashtëm i vendit më të populluar në botë do të takohet edhe me presidentin rus Vladimir Putin.
Udhëheqja në Nju Delhi është neutrale ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Ajo nuk mbështet sanksionet perëndimore kundër Moskës dhe ka promovuar vazhdimisht zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut.
Që nga fillimi i luftës, India ka rritur gjithashtu importet e saj të naftës së lirë nga Rusia.
“India është klienti i dytë më i rëndësishëm i naftës i Moskës pas Kinës”, tha në një intervistë televizive ministri rus i Energjisë, Alexander Novak.//a.i/