MOSKË – Kremlini zotohet të rimarrë zonat ukrainase ku Rusia është tërhequr

by admin
Spread the love

MOSKË, 5 tetor /ATSH-DPA/ Kremlini është zotuar të ripushtojë zonat e Ukrainës që u çliruan kohët e fundit në kundërsulmin e shpejtë të Kievit, duke pretenduar se ato i përkasin Rusisë përgjithmonë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov iu referua rajoneve lindore të Ukrainës që Moska i aneksoi një javë më parë, një veprim i cilësuar i paligjshëm ndërkombëtarisht, dhe të cilat janë pjesërisht nën kontrollin e trupave ukrainase pas disfatave dhe tërheqjeve të turpshme të forcave ruse në fushën e betejës.

“Nuk ka asnjë kontradiktë këtu. Edhe pse trupat ruse janë tërhequr nga disa zona për momentin, ato rajone do të ripushtohen”, tha Peskov.

“Ato do të jenë të Rusisë përgjithmonë, ato do të rimerren”, u tha sot Peskov gazetarëve.

“E përsëris edhe një herë, territore të caktuara do të rimerren dhe ne do të vazhdojmë konsultimet me popullatat që do të shprehin dëshirën për të jetuar në Rusi’, theksoi ai.

Më herët, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj, të miratuar këtë javë nga ligjvënësit, që anekson katër rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës.

Legjislacioni finalizon, sipas ligjit rus, aderimin e Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhias, të cilat pretendohen ende si territore të Ukrainës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like