Morën votat e qytetarëve dhe shkuan për pushime, shumica e Këshillit Komunal në Tetovë do formohet pas shtatorit

by admin
Spread the love

Zgjedhjet për Këshillin Komunal në Tetovë përfunduan, partitë morën votat dhe numrin e këshilltarëve. Pasi morën besimin e qytetarëve, disa prej këshilltarëve kanë shkuar për pushime, madje dje munguan edhe gjatë ceremonisë së certifikimit të tyre. Seanca e parë konstituive planifikohet të mbahet pas muajit shtator kur edhe do të dihet shumica, kështu pohoi kreu i Komunës së Tetovës, partia e të cilit ka fituar më shumë këshilltarë, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami- partia e të cilit mori më shumë këshilltar nga zgjedhjet e fundit, konkretisht dymbëdhjetë, i pyetur nga Portalb.mk se me kë do e bëjnë shumicën në këshill dhe se a do jetë kjo një shumicë vetëm mes Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së e cila ka katër këshilltarë, Kasami as nuk e mohoi dhe as nuk e pohoi një gjë të tillë.

“Fillimisht për shkak se janë edhe në pushimet verore, shumica e këshilltarëve nuk janë edhe këtu, domethënë pas shtatorit kur planifikohet edhe seanca e parë konstituive e këshillit, do të ulemi me të gjitha partitë politike dhe të flasim për shumicën e re”, tha Kasami.

Me të gjitha, apo keni vija të kuqe?

“Ne jemi të gatshëm me të gjithë këshilltarët të bashkëbisedojmë për ofertën tonë, për programin tonë”, tha Kasami.

Nga VMRO–DPMNE, Angell Karapetrov tha se brenda afatit ligjor do të mësojmë shumicën.

“Të ja lëmë kohës ta tregojë. Në Tetovë opozita që është në nivel qendror fitoi në nivel lokal, opozita ka shumicën. Shpresoj që kjo shumicë të rritet dhe të mos kemi bllokime nga partitë e tjera politike”, tha Karapetrov.

Liridon Disha, këshilltar nga BDI-ja u shpreh se ato do të jenë në opozitë, madje me partnerët e koalicionit në nivel qendror.

“Sipas rezultateve ne tashmë jemi opozitë, pra një opozitë e fortë me LSDM-në, PDSH-në dhe Alternativën”, tha Disha.

Por, Visar Palloshi nga PDSH u shpreh se për atë se a do të jetë pjesë e shumicës do vendosin organet e partisë.

Dje gjatë certifikimit të këshilltarëve, munguan bartësit e listave nga Lëvizja Besa, BDI-ja dhe Alternativa.

Këshilli i ri komunal do të përbëhet nga 6 parti politike dhe nga 31 këshilltarë, edhe atë: Lëvizja Besa me 12 këshilltarë, BDI 11, VMRO-DPMNE 4, PDSH 1 dhe Alternativa 1.

You may also like