Momenti mahnitës kur 4-vjeçari afrikan pikaset nga ajri pasi mbijetoi gjashtë ditë në xhunglën e mbushur me predatorë (fotot)

by admin
Spread the love

Një djalë katër-vjeçar ka arritur mrekullisht të mbijetojë për gjashtë ditë i vetmuar, në natyrë të hapur në Kenia, shkruan britanikja Daily Mail.

I riu nga qyteza e Asa, arriti të shpëtonte i palënduar edhe pse ishte larguar rreth 15 km në zonën e egër ku shihen shpesh çakallë e hijena.

I vogli raportohet se kishte humbur gjatë një stuhie pas një dite të kullotjes së bagëtisë me vëllezërit e tij.

Grupet e kërkimit u ndihmuan nga piloti Roan Carr-Hartley i cili punon për grupin e mbrojtjes së natyrës Sheldrick Wildlife, i vendosur në zonë.

Kreu i komunitetit Asa i kishte kërkuar ndihmë britanikëve për të kërkuar të humburin duke e lokalizuar nga ajri.

Piloti Roan Carr-Hartley, duke postuar një koment  për incidentin tha se rreth 70 anëtarë të komunitetit po kërkonin për të voglin, ndërsa dhe ai u ngrit me avionin e tij për të kërkuar në zonat që i tregoi shefi komunitetit.

“Ne arritëm të ndjekim gjurmët e të voglit rreth shtatë km larg fshatit por më tej ato nuk njiheshin”.

Për katër orë piloti kontrollonte zonën pa pasur fat.

Pas rifurnizimit dhe rikthimit në kërkim grupet në tokë thanë se kishin gjetur gjurmë të reja të djalit rreth 15 kilometra larg shtëpisë së tij.

Ditën tjetër piloti tha se mrekullia ndodhi, kur pa figurën e vogël në tokë të rrethuar nga gëmusha e bimësi.

“I vogli i trembur, fillimisht u fsheh nga avioni, edhe pse mezi ecte nga lodhja e ezaurimi”.

Carr-Hartley tha se pak më vonë në tokë u shfaqën dhe disa nga grupet e kërkimit, ndërsa ai arriti të bënte disa foto të ribashkimit me fat.

Grupet e kërkimit shoqëruan djalin në shtëpi, siç është zakoni duke kënduar këngë tradicionale falënderimesh e bekimesh.

Car-Hartley mori më vonë të dhëna nga prindërit e të voglit që thanë se po rikuperohej, dhe se emrit të tij i kishin shtuar dhe një ‘Roan’ në nder të pilotit që e zbuloi.