Mjaftueshëm nikel dhe litium për 14 milionë automjete elektrike në 2023, sipas Grupit Europian të Klimës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Të dhënat tregojnë se ka mjaftueshëm nikel dhe litium për të prodhuar deri në 14 milionë automjete elektrike në rang global në vitin 2023, kështu që Europa duhet të sigurojë më shumë lëndë të para për të pasur mundësi që të shkëputet më shpejt nga varësia e saj ndaj naftës, tha të martën Grupi i Fushatës së Transportit dhe Mjedisit.

Në një studim të bazuar te të dhënat e BloombergNEF mbi vëllimet maksimale globale të nikelit dhe litiumit që përdoren për bateritë e automjeteve elektrike, Grupi i Fushatës së Transportit dhe Mjedisit tha se në vitin 2025 do të kishte sasi të mjaftueshme të këtyre lëndëve për të prodhuar 21 milionë automjete elektrike në rang global.

Duke përjashtuar nikelin e Rusisë nga llogaritjet, grupi tha se do të kishte lëndë të para të mjaftueshme për të prodhuar 19 milionë automjete elektrike në vitin 2025.

Shitjet globale të automjeteve elektrike u dyfishuan në vitin 2021, duke arritur në 4.2 milion automjete, nga pak më shumë se 2 milion shitje në vitin 2020.

Kompania e konsulencës për automobilat, LMC, ka parashikuar se shitjet globale të automjeteve elektrike do të arrijnë shifrën 9 milionë në vitin 2023 dhe 14.2 milionë në vitin 2025.

Çmimet e materialeve të baterive të automjeteve elektrike janë rritur gjatë vitit të kaluar, pasi nikeli që përdoret për prodhimin e këtyre baterive arriti rekorde të reja të ҫmimit pas pushtimit të Ukrainës, duke qenë se Rusia është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të nikelit.

Disa analistë kanë paralajmëruar për pengesa afatshkurtra në furnizimin me bateri, pasi industria e automobilave po përshpejton prodhimin e makinave me zero emetime, gjë që mund të pasohet nga një ngopje e tregut pas fillimit të zbatimit të një sërë projektesh të reja për prodhimin e baterive.

Grupi i Fushatës së Transportit dhe Mjedisit tha se konkurrenca për litium dhe nikel ishte e madhe, si dhe vuri në dukje faktin se si Kina, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kishin punuar për të siguruar akses te këto lëndë të para.

Europa duhet të ndjekë këtë shembull dhe të krijojë një agjenci për të siguruar furnizimin me “metale kritike nga burime të qëndrueshme”.

“Ndërsa Kina dhe SHBA po shtrëngojnë muskujt e politikës së tyre për të siguruar furnizime me këto metale kritike, liderët europianë po kërkojnë në të gjithë globin për më shumë naftë”, tha drejtoresha e grupit, Julia Poliscanova. “Tani është koha për t’u përqëndruar te gjetja e burimeve të lëndëve të para të qëndrueshme, për të cilat kontineti ynë ka nevojë për të arritur pavarësinë energjetike dhe një të ardhme të gjelbër.” / Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like