Mjafton Bennacer, Milani kalon Cagliarin dhe zgjat dorën drejt titullit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Milani largohet me tre pikë të arta nga Sardenja, pasi ka fituar 0-1 në “Unipol Domus” përballë Cagliarit dhe falë këtij suksesi vazhdon të qëndrojë i vetëm në krye të renditjes së Serie A.

Kuqezinjtë marrin suksesin e tretë radhazi në kampionat dhe çojnë sërish në 3 pikë diferencën me Napolin e vendit të dytë. Një gol i Bennacer ka vendosur fatin e kësaj sfide, që është dominuar nga skuadra e Milanit. Cagliari pëson humbjen e tretë radhazi në kampionat dhe vazhdon të rrezikojë qëndrimin mes më të mirave të Italisë.

Në “Unipol Domus” përballen dy skuadra me objektiva të kundërta, vendasit synojnë pikë për të qëndruar në Serie A, ndërsa miqtë suksesin e radhës që të konsolidojnë pozitat në krye të renditjes.

Milani përpiqet që të tregojë forcën e vet dhe dominon takimin, duke krijuar disa raste për shënim. Janë Giroud dhe Brahim Diaz që përpiqen të zhbllokojnë sfidën, por nuk arrijnë që të çojnë topin në rrjetë.

Cagliari kundërpërgjigjet me Grassin, ndërsa në fund të pjesës së parë provon edhe Theo Hernandez, por gjuajtja e lojtarit kuqezi përfundon jashtë. Mbyllet pa gola një pjesë e parë e dominuar nga Milani në Sardenjë.

Milani nis me vrull edhe pjesën e dytë. Provojnë Leao dhe Messias, por gjuajtjet e tyre përfundojnë jashtë. Theo Hernandez provon reflekset e Cragnos, që devijon goditjen e francezit.

Goli është në ajër dhe është Bennacer ai që realizon një gol shumë të bukur dhe kalon në avantazh kuqezinjtë e Piolit. Pavarësisht avantazhit Milani vazhdon të sulmojë në kërkim të golit të sigurisë.

Edhe vendasit mundohen të futen në lojë dhe shfaqen rrezikshëm me Joao Pedro, por gjuajtja e tij devijohet në korne.

Milani i afrohet golit të dytë me Calabria, por mbrojtësi nuk arrin që të kalojë dot portierin Cragno, që pret gjuajtjen e tij.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Milani është me fat pasi Pavoletti godet traversën. I pafat sulmuesi i Cagliarit, që ndalet nga shtylla. Edhe 4 minutat shtesë nuk sjellin ndryshim të rezultatit dhe Milani largohet me tre pikë të arta nga kjo transfertë e vështirë.

Foto: AC Milan Twitter

You may also like