Miu kalon sikur është mik – Shqip

by admin
Spread the love

Vetëm 17 vjeç, por është tepër e mençur dhe e matur për moshën që ka. Ditën e sotme në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga “E Diela Shqiptar” në Tv Klan, Denisa ka folur rreth sfidave me të cilat është rritur në jetën e saj.

Kur u pyet nga moderatori i programit, Ardit Gjebrea, se ku jeton, ajo u shpreh që qëndron në një shtëpi me qira në Divjakë bashkë me mamin dhe babin. Sipas saj, shtëpia është në kushte shumë të këqija dhe mund të bjerë nga momenti në moment. Denisa tha me lot në sy se edhe miu kalon sikur është miku i shtëpisë.

17-vjeçarja gjithashtu tregon ditët kur ishte më e vogël dhe e bullizonin në klasë për banesën në të cilën jeton. Gjatë bisedës me Gjebrean, ajo rrëfen se një prej shokëve të saj të klasës, i kishte thënë: “Atë shtëpinë që ke ti, më të mirë e ka qeni im”.

Ardit Gjebrea: Ku jetoni ju?

Denisa:  Në një shtëpi me qira në Divjakë, po as shtëpi nuk është ajo.

Ardit Gjebrea: Pse?

Denisa: Çfarë bie jashtë, bie brenda. Kalon miu aty sikur është miku i shtëpisë. Edhe pikon, nuk ka asnjë lloj kushti.

Ardit Gjebrea: Po jeta jote si ka qenë?

Denisa: Jeta ime vetëm vuajtje. Nuk kam kaluar asnjë çast të lumtur të jetës time, siç kanë kaluar të gjithë moshatarët e mi. Por nuk mërzitem nga kjo, mjafton që të kem familjen mirë, mamin dhe babin. Ajo është gjëja kryesore për mua.

Ardit Gjebrea: Të paktën ke pasur solidaritetin e shoqeve dhe shokëve të klasës?

Denisa: Po. Në fillim fare, kur kam qenë e vogël, në klasë të parë ose në klasë të dytë, ishte një vajzë që më gjuante mbrapa çantës dhe thoshte: “Ti e ke mamin që çalon”.

Ardit Gjebrea: Të bullizonte?

Denisa: Më bullizonte. Kemi pasur dhe një çun në klasë që kishte kushte ekonomike shumë të mira dhe më thoshte mua: “Atë shtëpinë që ke ti, më të mirë e ka qeni im”. Kjo vazhdoi deri në klasë të pestë, klasë të gjashtë derisa nuk e thotë më një gjë të tillë. Tani unë kam përkrahjen e të gjithëve dhe bashkëmoshatarëve të mi.

Ardit Gjebrea: Si e mbërrite këtë gjë?

Denisa: Nuk e jepja veten në asnjë rast, e merrja me të qeshur, nuk doja ta jepja veten. Isha një vajzë e fortë.

E sikur mos të mjaftonin këto probleme, Denisa, bashkë me mamin dhe babin, mund të mbeten pa shtëpi sepse pronari i banesës u ka dhënë urdhër të largohen. Sipas 17-vjeçares, kjo ka ndodhur sepse ai ka frikë se mos i zë çatia poshtë dhe mund të përfundojë në burg.

Denisa: Ajo shtëpia është mos ta shikosh fare. Të ikësh me vrap.

Ardit Gjebrea: Pse?

Denisa: Nuk ka kushte fare, as kushte më imediate. Vetë që ka krevat, vetëm për të thënë që po lind një ditë e re dhe po mbaron një ditë.

Ardit Gjebrea: Jeni me qira aty?

Denisa: Me qira prej 16 vitesh.

Ardit Gjebrea: Sa paguani në muaj?

Denisa: 30 mijë lekë, po edhe ai do të na nxjerrë. Ai thotë që “dua t’ju nxjerrë sepse kam hall se ju zë shtëpia poshtë dhe futem brenda në burg”. Ai do të na bëj dhe denoncim tani, që ne nuk po i lirojmë shtëpinë. Se ai ka kohë që na thotë: “Liro shtëpinë”. Edhe ne nuk po ia lirojmë. Se mami thotë: “Nuk kam ku të shkoj dhe po të shkoj në një shtëpi tjetër është shumë e kushtueshme”.

Ardit Gjebrea: Po ju me çfarë jetoni?

Denisa: Vetëm me KEMP-in e mamit. /tvklan.al

You may also like