Miniturbinat me erë të projektuara për t’u vendosur në çati

by admin
Spread the love

Për shkak se ato vendosen në skajet e çative, mund të kombinohen shumë mirë edhe me panelet diellore. Nëse një ndërtesë ka edhe bateri për të ruajtur energjinë, atëherë ajo mund të bëhet plotësisht e vetëmjaftueshme për sa i përket energjisë.

 

Një turbinë e zakonshme me erë është tepër masive, afërsisht aq e lartë sa Statuja e Lirisë në SHBA, me helikat që shtrihen në një gjerësi më të madhe se një fushë futbolli.

Disa prej tyre madje janë edhe më të mëdha, si për shembull turbina e re e ndërtuar nga kompania Siemens për t’u vendosur në det të hapur, e cila ka një rotor 236 metra të gjerë. Nga ana tjetër, një turbinë 3 me 3 metra është relativisht e vogël.

Dhe, nëse nuk ka as helikën që rrotullohet, ajo nuk mund të dallohet menjëherë nga njerëzit si një pajisje teknologjike që përdoret për prodhimin e energjisë nga era.

Këto pajisje, të krijuara nga një start-up i quajtur Aeromine, kanë për qëllim që të vendosen buzë një çatie, në vend se të vendosen në fushë të hapur, dhe të punojnë së bashku me panelet diellore.

“Më pëlqen ta mendoj këtë teknologji si revolucionare dhe plotësuese për teknologjinë e paneleve diellore”, thotë bashkëthemeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i Aeromine, David Asarnow. “Prodhimi ynë mund të jetë më i mirë. Në të njëjtën kohë, kur i bashkoni të dyja, ju mund të arrini pavarësinë e vërtetë energjetike në godinën tuaj”.

Ka pasur edhe përpjekje të tjera për të bërë të mundur që turbinat me erë të vendosen në çatitë e godinave, por ato nuk kanë funksionuar – fletët rrotulluese bëjnë shumë zhurmë, janë shpërqendruese dhe, ashtu si helikat e mëdha të turbinave me erë, mund të vrasin zogjtë.

Aeromine ofron këto miniturbina të cilat nuk kanë pjesë të jashtme të lëvizshme, kështu që ato punojnë me qetësi dhe mbrojnë jetën e kafshëve.

Disa dizajne të tjera të turbinave të erës, që janë konceptuar për t’u vendosur në çati, përdorin një bosht rrotullues, por ato nuk mund të gjenerojnë aq shumë energji.

Kur vendoset në çati, kjo teknologji përdor efektin aerodinamik të murit që ndodhet poshtë saj. “Ndërtesa e rrit shpejtësinë e erës” – thotë Asarnow. Era futet midis dy fletëve të turbinës, të cilat janë të ngjashme me formën e krahëve të aeroplanit.

“Teksa era godet këto fletë, ajo krijon një presion negativ, i cili thith erën që po godet ndërtesën, përmes një helike të brendshme në fund të njësisë, e cila prodhon energjinë që lidhet drejtpërdrejt me ndërtesën”, – thotë ai.

Kur këto pajisje të prodhohen në masë, ato do të jenë më të lira se panelet diellore, duke prodhuar 50% më shumë energji, me të njëjtën kosto.

Duke qenë se këto njësi vendosen në skajet e ndërtesës, me 20 deri në 40 njësi të tilla që mund të vendosen në një rresht, pjesa tjetër e çatisë mund të shfrytëzohet për panelet diellore.

Për shkak se era ka tendencë të jetë më e fuqishme më vonë gjatë ditës, krahasuar me energjinë diellore, të dyja këto teknologji funksionojnë mirë së bashku.

Dhe, nëse një ndërtesë shton edhe bateri për të ruajtur energjinë, nuk do të ketë më nevojë për shumë të tilla. Me kombinimin e erës, të diellit dhe të baterive, disa ndërtesa mund të jenë në gjendje të shmangin plotësisht përdorimin e energjisë nga rrjeti.

Aeromine planifikon ta aplikojë këtë teknologji, së pari, te ndërtesat tregtare, si për shembull magazinat, të cilat kanë çati të gjata e të sheshta ku këto pajisje mund të vendosen lehtësisht. Në një program pilot që po zhvillohet aktualisht, një nga këto njësi po testohet në çatinë e një fabrike të BASF pranë Detroitit.

Kjo teknologji mund të ndihmojë gjithashtu në ndërtesat e banimit, ku rikarikuesit e rinj të automjeteve elektrike po shtojnë kërkesën për energji. Kompania planifikon që ta nxjerrë produktin në treg deri në fund të vitit të ardhshëm. / Fast Company

You may also like