Ministrja Nagavci po merr pjesë në konferencën për mësuesit e gjuhës amtare në Suedi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ministrja e Arsimit,
Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në
Konferencën dyditore për mësuesit e gjuhës amtare “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe
integrimi” në Malmö të Suedisë.

Kjo Konferencë ka për
qëllim që të mbajë gjallë frymën edukuese të mësuesve të gjuhës amtare dhe
është organizuar nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi në
bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së
Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Lidhjen e Arsimtarëve
Shqiptarë ”Naim Frashëri” në Suedi.

Në këtë Konferencë ku
temë diskutimi është zgjerimi i njohurive mbi mësimdhënien dhe relacionin mes
nxënësit-prindit-mësuesit, si dhe mes gjuhës shqipe-suedeze dhe ndonjë gjuhe
tjetër, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për
mësimin në gjuhën shqipe për fëmijët tanë, pa marrë parasysh ku ata rriten dhe
veprojnë.

Pasi që theksoi
rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare, ministrja Nagavci
falënderoi mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende
të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe
mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.

Ministrja përmendi
faktin se Suedia e ka të rregulluar mësimin plotësues në gjuhën shqipe në
diapsorë brenda sistemit suedez të arsimit, por tha se ka hapësirë për punë
edhe nga mësuesit, edhe nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë për
mbështetje.

Duke folur për punën
që është bërë në këtë drejtim, ministrja Nagavci përmendi faktin se tashmë kemi
tekstin e parë “ Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të
diasporës, ndërsa tha se sivjet do ta kemi edhe Abetaren e përbashkët.

Ne në Kosovë, por edhe
në Shqipëri, tha Ministrja, po punojmë në hartimin e teksteve mësimore për
nivelet tjera të mësimit shqip në diasporë dhe synim i përbashkët duhet të jetë
institucionalizimi i mësimit shqip në vendet ku jetojnë. Ajo theksoi se janë
miratuar dhe botuar libra për nxënësit e diasporës, por janë organizuar edhe
shkolla verore, seminare, festivale për fëmijë të diasporës, organizime
kulturore, e të tjera.

Ministrja Nagavci
theksoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar për t’u dhënë më
shumë rëndësi ideve dhe projekteve të mërgimtarëve, pasi që nevojat e diasporës
kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi
i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioritet.

Në Konferencë po
marrin pjesë edhe Emil Lafe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Beqir Meta
nga Instituti i Historisë në Tiranë, Entela Tabaku nga Universiteti i Uppsales,
Nuhi Bajqinca nga Universiteti i Göteborgut dhe studiues e ekspertë të tjerë të
gjuhës, kulturës dhe të arsimit.

Në Suedi, aktualisht janë afër 10 mijë nxënës shqiptarë, nga të cilët 6 mijë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, të integruar brenda sistemit suedez të arsimit.

You may also like