Ministria e Drejtësisë tregon se kur themelohet Instituti për krime lufte

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Janë bërë më shumë se një vit prej kur është formalizuar Grupi Punues për hartimin e koncept-dokumentit për krijimin e Institutit për krime gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ende një përpjekje e tillë nuk është finalizuar. Cilët janë hapat e radhës dhe kur pritet të finalizohet ky institut?.

Më 13 maj të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është formuar Grupi Punues për formimin e institutit të ri për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Tashmë projektligji që do e themelojë këtë mekanizëm, është finalizuar. Në një përgjigje për Express, Ministria e Drejtësisë, ka treguar se deri ku kanë shkuar punimet për këtë projektligj.

Në përgjigje thuhet se projektligjin për themelimin e këtij instituti, MD e ka dërguar për miratim në Zyrën e Kryeministrit.

Poashtu, Ministria e Drejtësisë thotë se “shumë shpejt” ky projektligj do të vendoset si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa “shpresojnë se menjëherë pas miratimit në Qeveri, Projektligji për Institutin të procedohet për votim në Kuvend”.

Sipas Ministrisë, Instituti pritet të funksionalizohet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Ministria e Drejtësisë ka finalizuar Projektligjin i cili do e themeloj këtë mekanizëm. Projektligj është dërguar në Zyrën e Kryeministrit për miratim. Projektligji në fjalë do të vendoset shumë shpejtë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë. Ne shpresojmë se menjëherë pas miratimit në Qeveri, Projektligji për Institutin të procedohet për votim në Kuvend, dhe Instituti të funksionalizohet në fillimit të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu.

Sa i përket kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vitin e kaluar tha se ky institut do ta ketë linjën e vet buxhetore, derisa tha se “nuk e kanë luksin të gabojnë kësaj radhe”.

“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, tha Kurti në qershor të vitit 2021.

Kur ministrja Haxhiu vitin e kaluar kumtoi lajmin se është finalizuar grupi punues për hartimine koncept-dokumentit për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, organizatave dhe të tjerëve t’i dërgojnë hulumtimet, dokumentet dhe dëshmitë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, organizatat dhe të tjerët të cilët posedojnë dokumente, dëshmi të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, hulumtime të cilat i kanë kryer dhe i konsiderojnë relevante të na i dërgojnë ato në këtë email adresë: [email protected]”, ka shkruar ajo një vit më parë.

Një përpjekje për dokumentimin e luftës së fundit në Kosovë ishte bërë edhe në vitin 2011. Qeveria e atëhershme kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Mirëpo, në vitin 2018, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj kishte vendosur që ky institut të shuhet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, derisa 76 për qind e tyre besohet se kanë qenë civilë. Ndërkaq, edhe më tej është duke u hulumuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.

You may also like