Ministrat e BDI-së vazhdojnë me keqpërdorimin e makinave zyrtare për qëllime partiake

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Derisa keqpërdorimet e veturave zyrtare nga ministrat për qëllime partiake si dhe shpenzimet e parave publike bëhen pa karar, përgjegjësia ligjore dhe etike thuajse nuk ekziston. E pyetur se si do të veprojë tani Qeveria ndaj ministrave, Artan Grubi, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi të cilët dy javë më parë, përsëri kanë shkuar në aktivitet partiak me makina zyrtare, zv/kryeministrja për krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska tha se do të veprohet sipas Kodit Etik.

Nuk e kam parë atë të shtunën, patjetër të shoh, ne kemi dëshmuar si kabinet se tek ne ndikojnë ata se për kë bëhet fjalë, nuk është në rregull të përsëriten, e njëjta punë për të cilën janë paralajmëruar paraprakisht do të vërtetojmë a është ashtu dhe do të provojmë në bazë të Kodit Etik, i cili na është dhënë neve si kabinet si instrument, se çka mund të ndërmarrim”, deklaroi Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre.

Zv/kryeministrja Gërkovska iu shmang pyetjes nëse zyrtarët e dinë çfarë është etika dhe morali.

“Për shkak se për çdo ditë nga të njëjtët funksionarë përsëriten punët e njëjta, skandalet e njëjta. A ekziston ndjenja e etikës dhe moralit te funksionarët?”, raporton Mefail Ismaili, gazetar.

Ndërkohë kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se nëse ka dëshmi, ose argumente, atëherë procedurat i vazhdon ose Komisioni për Anti Korrupsion ose institucionet kompetente si prokuroritë dhe gjykatat. Por nga Komisioni për Luftën Kundër Korrupsionit thonë se ata nuk kanë kompetenca të ndëshkojnë keqpërdoruesit e detyrës zyrtare, ndërsa reagimet e institucioneve të shtetit janë të pakta.

“Ne për disa lëndë kemi dorëzuar nismë për konstatimin e përgjegjësisë të ministrave, e gjithë ajo që vjen si përgjigje nga Qeveria thotë se po është marrë vendim përkatës, është shqiptuar masë përkatëse, por duket se masat e tilla të buta nuk japin rezultat… Dihet si duhet të veprojë Qeveria, ka mekanizma t’i thërrasë, t’i dëgjojë, t’i paralajmërojë, por edhe t’i ndërrojë. Është më se e qartë se dikush këtu ngec”, tha Katica Nikollovska, Komisioni për Anti Korrupsion.

Sipas Kodit Etik, për të gjithë zyrtarët që keqpërdorin veturat zyrtare si dhe privilegjet e tjera për çështje partiake ose personale, Qeveria ka të drejtë t’i bëjë kritikë publike për sjelljen, të kërkojë përgjegjësi politike, përkatësisht të kërkojë dorëheqje ose nismë për të informuar institucionet kompetente.

Deri më tani, për rastet e ngritura nga Anti-Korrupsioni, Qeveria vetëm e ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm Bujar Osmani dhe ish ministrin e Ekologjisë Naser Nuredini për keqpërdorimin e veturave zyrtare për aktivitete partiake. /Alsat.mk

You may also like