Mijëra protestojnë në Serbi kundër ‘manipulimit të votës’ nga qeveria e Vuçiç

by admin
Spread the love

Protestuesit akuzonin sot partinë në pushtet të presidentit Aleksandar Vuçiç për manipulim të votës së popullit dhe kërkonin anulim të zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Mijëra njerëz u mblodhën nga opozita serbe në Beograd për protestën më të madhe të këtij muaji për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, duke akuzuar partinë në pushtet të Aleksandar Vuçiç’ për ‘orkestrimin e mashtrimit zgjedhor’.

Protesta e sotme ishte kulmimi i dy javë demonstrimeve kundër raportimeve të shumta të parregullsive në qendrat e votimit më 17 dhjetor, që u vërejtën dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Partia Progresive Serbe në pushtet u shpall fituese me 46.72 përqind të votës, sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor.

Por aleanca kryesore opozitare ‘Serbia Kundër Dhunës’ pretendon se zgjedhjet janë vjedhur, në mënyrë më flagrante për zonën e Beogradit.

Protestuesit me flamurë serbë dhe mbishkrime si “Ne nuk pranojmë!” brohorisnin lideren opozitare Marinika Tepic, e cila ka nisur një grevë urie prej 18 dhjetorit.

“Këto zgjedhje duhet të anulohen,” tha në miting Tepic, me një pamje të dobët, teksa u ngjit në podium me ndihmën e kolegëve.

Në protestat e nisura që prej 17 dhjetorit opozita kërkon përsëritje të votës, dhe i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar “të mos qëndrojë i heshtur” për të studiojë parregullsitë dhe të detyrojë zyrtarët të mbajnë zgjedhje të reja të drejta.

Aktivisti nga Beogradi Rajko Dimitrijevic, tha për rrjetin Associated Press, se kishte ardhur në protestë pasi ndjehej “i turpëruar” prej “ndryshimin që autoritetet i kishin bërë vullnetit të popullit”.

Mitingu i sotëm u organizua para zonës simbolike të Beogradit që në vitet 1990-të ishte skena e demonstratave kundër liderit luftënxitës Slobodan Milosevic dhe politikave të tij jodemokratike.

Kritikët thonë se dhe Vuçiç, ultranacionalist ish-zyrtar i Milosevic, ka vendosur autokracinë në vend që prej ardhjes në pushtet në 2012, duek marrë kontrollin e medias dhe të gjitha institucioneve shtetërore.

Vuçiç thotë se zgjedhjet ishin të drejta dhe se partia e tij ka fituar, ndërsa akuzon opozitën se po nxit dhunë në protesta./AlJaseera/