Mijëra marshojnë në Londër kundër qeverisë konservatore duke kërkuar zgjedhje të përgjithshme ‘të menjëhershme’ (fotot)

by admin
Spread the love

Mijëra njerëz i janë bashkuar sot një demonstrate në kryeqytetin britanik duke kërkuar zgjedhje të përgjithshme të menjëhershme, mes krizës së rëndë të kostove të jetesës, duke brohoritur “Britain is Broken” (Britania është rrënuar).

Një bashkim sindikatash pune dhe organizatash komunitare të quajtur “Asembleja e Popullit” morën pjesë në protestën masive në qendër të Londrës që kulmoi në sheshin Trafalgar Square, teksa mes pjesëmarrësve ishte Mick Lynch, kreu i sindikatës së hekurudhave e transportit.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “Jashtë Konservatorët”, ndërsa kërkonin zgjedhje të përgjithshme, veprim për pagat e ulëta dhe anullim të ligjeve anti-sindikata.

Aktivistja Michelle Uden që erdhi në protestë me dy djemtë e saj binjakë, tha për agjencinë  PA: “Mjaft më, nëse nuk ngrihemi për të luftuar atëherë do të ulemi duke qarë. Duam të largohet Rishi Sunak, duam fonde për shëndetësinë dhe ndalimin e privatizimeve”.

“Duam largimin e konservatorëve, kjo është e vetmja rruge për ndryshimin.”

Ajo shtoi se nuk besonte te zgjedhjet e përgjithshme, por tha se donte që fëmijët e saj të shihnin “demokracinë në veprim”.

Organizatorja Ramona Mcartney, shtoi: “Qeveria është në krizë të thellë, me kryeministrin e tretë ne tre muaj, që vendoset nga elita”.

“Ne duam që me këtë demonstratë t’i detyrojmë të mbajnë zgjedhje të përgjithshme, në solidaritet me çdo punonjës në grevë”.

Laura Pidcock, sekretare e përgjithshme e Asemblesë së Popullit, tha: “Kjo qeveri konservatore nuk jep llogari për asgjë, tërbimi që ata shkaktojnë nuk është asnjëherë i mjaftueshëm”.

“Prandaj jemi bashkuar si një lëvizje, për t’u organizuar në rrugë dhe në komunitete, për të treguar se zëri ynë nuk do të bëhet më të heshtë, dhe se duam ndryshim thelbësor në mënyrën si drejtohet vendi”.

“Këtë ne nuk do ta marrim ndonjëherë nga politikanët, por vetëm nga një lëvizje e fortë dhe vibruese e klasës punëtore, të ndërtuar së bashku, për të sjellë ndryshimin së bashku”.