Mijëra marshojnë në Athinë për tragjedinë hekurudhore dhe 8 Marsin (fotot)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Mijëra protestues dolën sot sërish në qendër të Athinës në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe për të demonstruar mbi tragjedinë më të rëndë hekurudhore të vendit, një javë më parë.

Policia përdori gaz lotsjellës sot ndaj protestuesve jashtë parlamentit, të cilët mbanin pankarta ku shkruhej “vrasje shtetërore”, “nuk ishte një aksident, është një krim” si dhe “jetët tona kanë rëndësi”.

57 njerëz u vranë dhe 14 mbeten ende në spital kur një tren mallrash u përplas kokë më kokë me një tren pasagjerësh që mbante kryesisht studentë, në tragjedinë e 28 shkurtit.

Jashtë parlamentit disa të rinj lëshuan gurë dhe koktejle Molotov ndaj policisë, e cila u kundërpërgjigj duke lëshuar gazlotsjellës, tha gazetari i rrjetit AFP.

Demonstruesit gjithashtu dogjën një furgon në një zonë pranë protestës.

Edhe në qendrën veriore Selanik, policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve që lëshonin gurë jashtë stacionit kryesor hekurudhor te qytetit.

“Jam këtu për të bërë homazh për të vdekurit por dhe për të shprehur zemërimin e zhgënjimin tim. Kjo qeveri duhet të ikë”, tha për AFP protestuesi 54 vjeçar Niki Siouta.

Bashkë me protestat, Greqia është përfshirë nga një grevë 24 orëshe e administratës civile, me pjesëmarrje nga doktorët, mësuesit, shoferët e autobusëve dhe të hekurudhave.

“Kjo qeveri zgjedh të shpenzojë për policinë dhe ushtrinë, por jo për sigurinë tonë”, Thanassis Oikonomou, punonjës grevist i sindikatës së autobusëve.