Mijëra izraelitë, kundër “qeverisë së korruptuar dhe kriminale” – Shqip

by admin
Spread the love

Disa mijëra njerëz dolën në rrugët e Tel Avivit të shtunën mbrëma për të protestuar kundër qeverisë së re të kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila bashkon partitë e ekstremit të djathtë dhe ato fetare.

Demonstruesit u mblodhën në qendër të qytetit bregdetar dhe marshuan me zë të lartë nëpër rrugë, duke valëvitur flamujt izraelitë dhe duke mbajtur pankarta kundër Netanyahu-t.

Kabineti i ri i krahut të djathtë të Netanyahu-t u betua javën e kaluar, me disa poste ministrore që iu dhanë ultranacionalistëve. Qeveria po planifikon reforma gjithëpërfshirëse, nga zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar deri te dobësimi i fuqisë së gjyqësorit.

Reformat dramatike të ministrit të ri të Drejtësisë, Yariv Levin, në lidhje me drejtësinë, ishin shqetësimet kryesore të protestuesve. Levin dëshiron t’i mundësojë shumicës në parlament të rrëzojë vendimet e Gjykatës së Lartë. Levin gjithashtu dëshiron të ndryshojë përbërjen e trupit që emëron gjyqtarët.

“Nëse nuk dalim në rrugë, do të humbasim demokracinë”, tha Hewi Boem, duke shtuar se qeveria e re është kriminale dhe e korruptuar.

Një tjetër pjesëmarrës shtoi se ishte mirë që kaq shumë njerëz dolën në rrugë, “por ende nuk mjafton për të ndaluar këtë qeveri kriminale”. Ndër ligjet e ndryshuara ishte një që lejoi kreun e partisë ultra-ortodokse Shas, Aryeh Deri, të bëhej ministër i brendshëm pavarësisht një dënimi për shkelje tatimore.

Ndërkohë, Netanyahu është lideri më jetëgjatë i Izraelit dhe ka qenë i përfshirë në hetime shumëvjeçare që përfshijnë mashtrime, shkelje të besimit dhe korrupsion. /tesheshi.com/

You may also like