Migrimi ndërkombëtar ndikoi në rritjen e popullsisë në SHBA

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Popullsia e SHBA-së u rrit me 1.2 milionë këtë vit, rritje kjo e nxitur kryesisht nga migrimi ndërkombëtar. SHBA tani ka 333.2 milionë banorë, sipas vlerësimeve të publikuara të enjten nga Byroja e Regjistrimit të SHBA.

Migrimi ndërkombëtar neto apo numri i njerëzve që shkojnë në SHBA krahasuar me numrin e njerëzve që largohen, ishte më shumë se 1 milion banorë nga 2021 deri më 2022.

Kjo shënon rritje prej 168 % krahasuar me 376,029 emigrantë ndërkombëtarë të vitit të kaluar. Numri i banorëve nga jashtë është rritur në çdo shtet amerikan.

Rritja natyrore, që bëhet duke llogaritur numrin e lindjeve dhe atë të vdekjeve, shtoi mbi 245 mijë njerëz të tjerë në total. Kjo është rritja e parë natyrore nga viti 2007.

Shkalla e rritjes vjetore të popullsisë së SHBA-së ishte prej 0.4% , një shifër më e madhe se sa ajo prej 0.1% gjatë periudhës më të keqe të pandemisë, nga viti 2020 deri më 2021. Periudha e pikut të pandemisë “Covid-19” shënoi edhe nivelin më të ulët të rritjes së popullatës që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara.

Nëse shikon të dhënat për rajone të veçanta amerikane, zona verilindore humbi pothuajse 219,000 njerëz si rezultat i largimeve të banorëve nga shtete si Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Masaçusets, si dhe vdekjet që tejkaluan lindjet në Pensilvani.

Zona qëndrore amerikane humbi pothuajse 49,000 banorë, nxitur nga shpërnguljet e banorëve nga shteti Illinois dhe vdekjet që tejkaluan lindjet në Ohajo.

Jugu i SHBA-së u rrit me 1.3 milionë banorë, rritja më e madhe në raport me zonat tjera, rritje kjo e nxitur nga shtimi i popullsisë në Teksas dhe Florida, por edhe nga lëvizjen e brendshme të popullsisë në Shtetet e Bashkuara. Teksasi, shteti i dytë më i populluar në SHBA, ka kaluar shifrën e 30 milionë banorëve, duke iu bashkuar Kalifornisë si shteti i vetëm në këtë kategori.

Por, Kalifornia humbi më shumë se 113,000 banorë duke pasur në tërësi pak më shumë se 39 milionë banorë më 2022. Kjo është rënia më e madhe vjetore krahas Nju Jorkut që humbi 180,000 banorë.

Pa migrimin ndërkombëtar dhe një rritje të konsiderueshme natyrore, pra të paturit më shumë lindje se sa vdekje, rajoni perëndimor do të kishte shënuar humbje të popullatës pasi pati shpërngulje edhe nga shtetet tjera të këtij rajoni, Oregon dhe Uashington.

Porto Riko humbi 40,000 banorë, ose 1.3% të popullsisë së saj, për shkak të largimit të njerëzve dhe vdekjeve që tejkalojnë lindjet, dhe popullsia e saj tani është 3.2 milionë banorë./Voa


Top Channel

You may also like