Miftaraj: Qeveria aktuale po e ndryshon traditën e respektimit të pavarësisë së Kushtetueses

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

“Ne, Populli i Kosovës, Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet;…”.

Është kjo fjalia hyrëse e aktit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës – Kushtetutës.

Teksa shkurti bart datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – dita e shtatëmbëdhjetë e këtij muaji më 2008 – prilli bart më vete ditën kur vendi u formësua edhe ligjërisht.

Ishte 9 prilli data kur u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila hyri në fuqi tre muaj më vonë, më 15 qershor.

Në zemër të saj gjenden vlerat themelore demokratike ku të gjithë qytetarët e Kosovës parashihet t’i gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike, gjinore, fetare e me radhë.

Meqenëse është edhe ndër shtetet më të reja në borë, shto këtu që është i krijuar në gjirin demokratik të Evropës, medoemos Kushtetuta e Kosovës gëzon veçanti që e bëjnë menjëherë të dallueshme nga vendet tjera përreth.

Eksperti i drejtësisë, Ehat Miftaraj, e vlerëson lart përmbajtjen e saj e cila promovon dhe garanton respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Kushtetuta e Kosovës është ndër Kushtetutat më të avancuara në rajon, që promovon të drejtat dhe liritë e njeriut, duke tejkaluar edhe standardet e vet Këshillit të Evropës. Kushtetuta e Kosovës ofron ndarje të fortë të tre pushteteve dhe pavarësi të institucioneve të pavarura”, thotë Miftaraj për Klankosova.tv.

Por, për të është shqetësuese qasja e Qeverisë aktuale në raport me Gjykatën Kushtetuese, pasi thotë se ata po e rrëzojnë një traditë të qeverive të kaluara të cilat megjithatë e kishin respektuar pavarësinë e saj.

“Në të kaluarën, që nga shpallja e pavarësisë, ishte ndërtuar një kulturë e partive në pushtet për të respektuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, përjashto rasteve të rralla kur institucionet si qeveria apo komunat nuk kanë vepruar në mënyrë proaktive për të zbatuar vendimet e kësaj gjykate”.

“Më rastin e qeverise së LVV, fatkeqësisht praktika e ndërtuar më herët ka filluar të ndryshojë duke parë një qasje të re ku ministra, deputetë dhe përfaqësues të lartë të kësaj partie kritikojnë vet gjykatën dhe atë që e përfaqëson e njëjta”, thotë Miftaraj.

Tutje, ai thotë se ndryshimet kushtetuese dinë të bëjnë hair dhe mirëpriten në raste, por ka rast që ndërhyrje të tilla mund të synohen për interesa meskine dhe për qëllime të dyshimta/

“Secili amendament i Kushtetutës duhet të përcillet më analiza përmbajtjesore dhe me pjesëmarrje aktive të grupeve të interesit dhe pasuar me konsensus politik të gjitha partive politike që përfaqësohen në Kuvend. Secili amendament i Kushtetutës duhet t’i mbrojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, thotë Miftaraj.

Zhurma më e madhe që është bërë viteve të fundit rreth Kushtetutës ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e që lidhet me debatin se a përbën shkelje apo ndërhyrje në Kushtetutë themelimi i një institucioni të tillë.

Sipas Miftarajt, assesi Asociacioni nuk duhet të sjellë një pushtet të katërt që deformon strukturën aktuale të pushteteve në vend.

“Asociacioni nuk duhet dhe nuk mund të jetë në kurriz të parimeve dhe vlerave që përcakton Kushtetuta. Asociacioni nuk duhet të themelojë një autoritet apo pushtet të katërt që cenon arkitekturën dhe strukturën e pushteteve në Kosovë”, përfundon Miftaraj.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në një konferencë për media pas vendimit të Gjykatës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte hedhur kritika ndaj tij.

“Në konferencën për media fola për qëllimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial, qëllim ky që ndërlidhet me eliminimin e grupeve të interesit, korporatizmin,  që aktualisht mbizotëron në përbërjen e KPK. Për këtë sistem korporatist ka pasur reagime të forta të partnerëve ndërkombëtar në Kosovë por jo vetëm”.

“Për gjitha këto reforma jemi konsultuar me një ndër organet më të respektuara të botës demokratike – Komisionin e Venecias, siҫ rëndom bëjmë për iniciativat kryesore të Ministrisë. Angazhohemi për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por assesi nuk mund të pranojmë që në ‘petkun’ e ‘pavarësisë’ të legjitimohet ‘korporatizmi’”.

“Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë mjaftuar vlerësimet profesionale në dy opinionet e Komisionit të Venedikut. Ky injorim i opinioneve, është goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetes”, kishte thënë ndër të tjera ministrja Haxhiu. /Klankosova.tv

You may also like