Mickoski: Kovaçevski u ik takimeve, e ftoj Fatmir Bytyqin në selinë e VMRO-DPMNE-së t’i tregoj si të zbuten pasojat e krizës energjetike

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, e ka ftuar zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Bytyqi, në një takim për nesër i cili do të mbahej në selinë e partisë, ku ai do t’ia prezantojë planin për zbutjen e pasojave nga kriza energjetike dhe shpëtimin e vendeve të punës, njofton Portalb.mk.

Ftesa e Mickoskit për Bytyqin vjen pasi që siç thotë ai, kryeministri Dimitar Kovaçevski u ikë takimeve dhe TV-dueleve.

“Dëshiroj me të vërtetë të ndihmoj, pasi që punët janë më serioze dhe më të rëndësishme nga kotësia e cilitdo anëtar të Qeverisë. Në kushte kur Dimitar Kovaevski dezerton, ik nga takimi dhe TV dueli me mua, e ftoj zëvendëskryeministrin e Qeverisë, të Obliguar për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në mbledhje të dielën (2 tetor 2022) në ora 12 në Selinë e VMRO-DPMNE-së, ku detajisht do ta sqarojë planin dhe konceptin të cilët do të nënkuptojnë rimëkëmbje të ekonomisë dhe ndihmë ndaj bizneseve”, shkruan Mickoski në FB.

Mickoski thotë se ofron koncept jo vetëm për vjeshtën dhe dimrin, por edhe për vitin e ardhshëm.

Portalb.mk dërgoi pyetje deri te Bytyqi në lidhje me atë nëse do ta pranojë ftesën e Mickoskit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dje e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

You may also like