Memli Krasniqi: Bajram Rexhepi të gjithë përgatitjen e tij profesionale e vuri në shërbim të Atdheut

by admin
Spread the love

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për ish-kryeministri, dr. Bajram Rexhepi, duke theksuar se ai ishte modeli i politikanit që gjithë përgatitjen e tij profesionale e personale e vuri në shërbim të Atdheut.

Tutje, ai tha se trashëgimia politike dhe atdhetare e dr. Bajram Rexhepit, në të gjitha vitet e tij në shërbim ndaj vendit, si Mjek, Kryeministër, Kryetar i Komunës dhe Ministër i Punëve të Brendshme, kanë vetëm një emërues të përbashkët: shërbim ndaj qytetarëve.

Postimi i plote:

Pesë vite më parë, më 21 gusht të vitit 2017, iku në amshim, miku im, ish-kryeministri, dr. Bajram Rexhepi. Për ne, gjeneratën e re të aktivistëve e politikanëve, dr. Bajram Rexhepi ishte modeli i politikanit që gjithë përgatitjen e tij profesionale e personale e vuri në shërbim të Atdheut. Doktor Bajrami, si mjek atdhetar që ishte afër ushtarëve të plagosur të UÇK-së gjatë luftës, politikan i respektuar që udhëhoqi Kosovën në një periudhë sfiduese të pas-luftës, një personalitet unifikues që shtroi rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit ndër-partiak, mbi të gjitha, lider i përgjegjshëm e parimor – ishte shembull për tu ndjekur. Trashëgimia politike dhe atdhetare e dr. Bajram Rexhepit, në të gjitha vitet e tij në shërbim ndaj vendit, si Mjek, Kryeministër, Kryetar i Komunës dhe Ministër i Punëve të Brendshme, kanë vetëm një emërues të përbashkët: shërbim ndaj qytetarëve!Të tillë, të përkushtuar dhe të drejtë, do ta kujtojmë përherë njeriun tonë të mirë, familjarin e dashur e politikanin e vendosur. Përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona, Doktor!

You may also like