Mehaj reagon për zhvillimet e fundit në veri, veprime që synojnë destabilizimin e vendit – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dënuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, duke i quajtur ato tentim për destabilizim të vendit.

“Si ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai tha se e dënojnë një qasje të tillë që, sipas tij, është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës.

“Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie” ka shtuar ai.

Sipas tij, i vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, “veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it”.

Mehaj apeloi te qytetarët serbë të mos manipulohen e të mos bien pre e keqinformimeve nga Serbia.

“Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit, e veçanërisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën”.

You may also like