Mediat në Serbi me më së shumti dezinformata për luftën në Ukrainë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Gjatë 150 ditëve të para të luftës në Ukrainë, u publikuan 1573 lajme të rrejshme dhe manipuluese në rajon. Mediat nga Serbia janë burimi më i shpeshtë i dezinformatave, para së gjithash edicioni serb i “Sputnikut”, “Informeri”, portali “Večernje novosti” dhe “Alo”. Paratë janë gjithashtu motivi i atyre që përhapin dezinformata, sipas hulumtimit të rrjetit SEE Check, të botuar nga media të pavarura në Beograd.

Rrjeti “SEE Check” ka publikuar hulumtimin “Narrativat globale dhe aktorët lokalë: 150 ditë lufte në Ukrainë dhe mbi 1.500 dezinformata në rajon”, i cili zbulon se gjatë pesë muajve të luftës në Ukrainë, 1.396 artikuj dhe shpallje në rrjetet shoqërore ishin ose manipulative ose të pasakta. Megjithatë, numri i atyre që u korrigjuan pas ndërhyrjes së portaleve të verifikimit të fakteve është 274.

Shumica e dezinformatave vijnë nga mediat nga Serbia. Në vend të parë për nga numri i artikujve të vlerësuar është edicioni serb i agjencisë ruse të lajmeve “Sputnik” me 33 artikuj, pastaj “Informeri” (32), “Novosti.rs” (30) dhe “Alo.rs” (28) – theksohet në kërkimin e këtij rrjeti në të cilin bëjnë pjesë pesë redaksi të cilat merren me verifikimin e të dhënave – “Raskrikavanje.ba” (BiH), “Raskrikavanje.me” (CG), “Raskrikavanje.rs” (SRB), “Fakenews tragač” (SRB) dhe “Faktograf” (HR).

Hulumtimi tregon se në mesin e 20 burimeve individuale më shumë artikuj të pasaktë ose manipulues, 16 janë nga Serbia dhe nga dy nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Pesë portalet rajonale për verifikimin e fakteve gjatë 150 ditëve të para të luftës në Ukrainë, publikuan 313 analiza në të cilat 1.396 artikuj dhe shpallje nëpër rrjete u vlerësuan si manipuluese ose të pasaktë. Në to janë regjistruar 1.573 pohime të pasakta dhe manipuluese.

Në mesin e mediave nga Serbia dominojnë tabloidet të cilat, pa përjashtim, politikisht anojnë kah autoritetet aktuale. Një nga dezinformatat nga Serbia është ajo për presionin të cilit i është nënshtruar Beogradi zyrtar për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndër rrjetet sociale, kryeson Facebooku me numrin më të madh të dezinformatorëve, me 217 burime.

Kur është fjala për tipat e manipulimit, më i shpeshtë është “lajmi i rremë”, i cili paraqitet përmes dy vlerësimeve të ndryshme – “lajmi i rremë” kur është fjala për pohimet e pasakta dhe “transmetimi i lajmit të rreme”, kur flitet për të njëjtin pohim që transmetohet në burime të tjera. Ky lloj manipulimi është regjistruar mbi 640 herë.

Hulumtimi tregoi gjithashtu se në një numër të madh tekstesh dhe publikimesh manipulohet me fakte (331) dhe përmbajnë dezinformata (269), gjë që tregon se lajmet për luftën në Ukrainë shpesh nuk janë plotësisht të fabrikuara, por janë një kombinim i pohimeve të sakta dhe të pasakta dhe se informacionet paraqiten në mënyrë manipuluese dhe selektive.

Titujt ‘Clickbait’ (116) tregojnë se motivet ekonomike janë të pranishme gjatë dezinformimit mbi luftën në Ukrainë.

Pohime manipuluese dhe të pasakta kanë publikuar 698 burime të ndryshme në të gjithë rajonin. Përveç 342 burimeve nga rrjetet sociale, alarmante është e dhëna se, sipas këtij hulumtimi, nëntë media përkatësisht publike dhe shtetërore plasojnë pohime të pasakta dhe manipuluese.

Dezinformimet pro-ukrainase të vëna re nga rrjeti SEE Check i shërbejnë kryesisht përhapjes së zërave të pabazë për heroizmin e ushtrisë dhe civilëve ukrainas.

Rruga Press

You may also like