MEDIA – BBC denoncon dezinformimin për konfliktin ruso-ukrainas

by admin
Spread the love

LONDËR, 25 shkurt /ATSH-ANSA/ – Mes propagandës së luftës, që prej ditës së djeshme në rrjetet sociale po qarkullojnë përpjekje për dezinformim, ndërkohë që po transmetohen gjithnjë e më shumë imazhe dhe video të dyshimta ose qartësisht false për konfliktin në Ukrainë, raporton shërbimi mediatik për kontrollin e fakteve i transmetuesit të njohur britanik, BBC.

Sipas BBC-së po publikohen filmime të konflikteve të mëparshme në Ukrainë ose në pjesë të tjera të botës si edhe imazhe të trupave në stërvitje.

Ndër këto imazhe, janë bërë sidomos virale pamje të avionëve ushtarakë rusë, të përfshirë në fluturime në lartësi të ulëta në territorin ukrainas.

Në një prej tyre ka edhe një avion amerikan, tip ”F-16”, që nuk ka qenë kurrë në shërbim të aviacionit ushtarak të Moskës apo atë të Kievit.

Në një tjetër video tregohen gabimisht parashutistë rusë, të cilët zbarkojnë pranë qytetit ukrainas të Kharkivit.

Shërbimi mediatik për kontrollin e fakteve i BBC ka vendosur në këto video fjalën “false”.

Edhe platformat e medieve sociale si Twitter po përpiqen të kenë një rol aktiv në adresimin e përmbajtjes së paverifikuar e qartazi false, duke hequr shumë material, edhe pse një veprim i tillë nuk është i lehtë duke pasur parasysh sasinë e madhe të videove që publikohet këto ditë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Lexo lajme interesante

You may also like