Tifozët gjermanë, sikurse dashamirësit e Bundesligës, do të kenë mundësinë ditën e sotme të shikojnë në fushë dy nga talentet më premtues në sfidën Bajer Leverkusen-Bajern Mynih, konkretisht Florian Virc dhe Xhamal Musiala. Dyshja në fjalë mbart çmimet më të “kripura” në ligë.
VIRC-Futbollisti më numër “10” në gjirin e Ksabi Alonsos po dhuron paraqitje fantastike me “aspirinat” në çdo kompeticion ku 20-vjeçari zbret në fushën e blertë. Në raportin e shifrave, rezulton se Florian Virc e ka djersitur fanellë e Leverkusen në distancën e 28 takimeve. Beniamini i Alonsos e ka dërguar sferën në kuadratin mik 8 herë, e shoqëruar me 15 asiste. Nëse e marrim në mesataren gola/ asiste për sfidë, Virc kontribuon 0.8 përfshirje goli, shifër mbresëlënëse, krahas moshës dhe ekipit ku militon. Mediumi ekspert i “Transfermarkt” e vlerëson kartonin e Virc në kufirin e 100 mln euro.
MUSIALA-Emri i Xhamal Musialës do të mbetet i paharrueshëm për tifozët në saj të golit fenomenal ndaj Këlnit edicionit e shkuar në Bundelsigë, i cili i dha trofeun e 12-radhazi bavarezëve në limite. Por numrat e “bambit” (pseudonim, i cili i referohet Musialës) nuk lënë shije të mirë, aq më pak kur përmendim çmimin e tij në treg, 110 mln euro. Xhamal është hedhur në fushë në 23 ndeshje, nga të cilët ia ka dalë të lërë gjurmë me7 gola dhe vetëm 3 asiste.
Ndonëse Virc dhe Musiala mbajnë të njëjtën profil në fushë, karakteristikat e numrit “10”, lojtari i Ksabit gëzon rendimet ndjeshëm më efektiv. Mesatarja e talentit bavarez nuk e kalon 0.4 përfshirjen në gola. Analistët gjermanë vlerësojnë së tepërmi te repertori i Musialës driblimet me elegancë dhe krijimin e të çarave në zona të ngushta, të cilat i japin lirshmëri fazës ofensive. Dita e sotme do të vlejë si provë e gjallë për të kuptuar protagonizmin e të dyjave në shifrat finale.
PANORAMASPORT.AL