Më shumë investime për bujqësi moderne dhe produktive përmes masës “Plani i Biznesit” – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski, sot morën pjesë dhe mbajtën fjalim me rastin e dhënies së kontratave për bujqit të cilët u mbështetën me masën e re “Plani i Biznesit në Bujqësi”.

Në këtë ngjarje, Kryeministri Kovaçevski, ministri Nikollovski, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Nikica Baçovski dhe Remzi Abdullahi, si dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Rexhep Ismaili, u dhanë kontrata bujqve të cilët do të shfrytëzojnë mbështetjen në formë të bashkëfinancimit në lartësi deri në 10 mijë euro për përfitues.

“Sot ndajmë 206 kontrata bujqve individualë të mbështetur përmes masës ‘Investime në modernizimin e ekonomive bujqësore’ ose e quajtur në gjuhën popullore masa ‘Plani i Biznesi’ nga Programi i Zhvillimit Rural, të cilin e prezantuam për herë të parë si pjesë e reformës më të madhe bujqësore.

Me masën e re “Plani i Biznesit” mundësuam ndihmë deri në 10.000 euro si bashkëfinancim për blerjen e pajisjeve dhe makinerive prodhuese.

Bujqit kanë mundësinë të blejnë makineri bujqësore, si pajisje bletarie, silose, pajisje në objekte për prodhimin e ushqimit me origjinë shtazore ose jo shtazore, pajisje për navigacion dhe bujqësi inteligjente në traktorët ekzistues, kombajne dhe makineri lidhëse dhe një gamë të gjerë të llojeve të tjera të pajisjeve, me të cilat jemi në hap me nevojat dhe trendet moderne botërore”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në manifestim, duke shtuar se me këtë masë janë investuar 1.5 milionë euro për mbështetjen e bujqve në blerjen e pajisjeve.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Kovaçevski theksoi masat që u ndërmorën në drejtim të mbështetjes së bujqësisë dhe tha se Qeveria është partner i bujqve.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri përmendi mbështetjen financiare për prodhuesit e vegjël të ushqimit, për kantinat e vogla familjare, për distileri të vogla, si dhe për bujqit e rinj, gratë fermere dhe mbështetjen në kuadër të programit IPARD.

“Qëllimi i çdo vendi është të prodhojë më shumë ushqim vendas. Ndaj, ne u fokusuam fortë në rritjen e prodhimit vendor të produkteve bujqësore dhe ushqimit, përmes masave konkrete nga të cilat përfitojnë bujqit dhe por edhe qytetarët. Realizojmë një nga prioritetet tona kryesore – me më shumë investime për modernizim, për bujqësi të qëndrueshme, produktive dhe bujq të kënaqur. Ndihmojmë bujqit tanë punëtorë në realizimin e vizioneve të tyre për biznes të mirë, prodhim më të mirë vendas dhe rendimente më të pasura. U mundësojmë që të profilizohen dhe të bëhen më konkurrues si në tregun vendas ashtu edhe në atë të jashtëm”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave, Ljupço Nikollovski, në fjalimin e tij tha se masa “Plani i Biznesit” është prezantuar për herë të parë këtë vit, ndërsa sot është duke u finalizuar me numra të respektueshme.

“Kjo masë rezultoi të ishte një nga më të mirat, më të nevojshmet, apo thënë në gjuhën popullore është plotësisht e qëlluar. Ne patëm sukses të arrijmë në thelbin e pritshmërive të bujqve, për t’u dhënë atyre pikërisht atë që duan dhe kanë nevojë. Janë miratuar 206 aplikime.

Këto janë 206 idetë e shkëlqyera të biznesit bujqësor.

Kjo do të thotë se ne kemi nisur një ortek të mendimeve, të ideve, të propozimeve, është një ortek shprese e re mes bujqve dhe familjeve të tyre, një dëshirë e re për punë, një nxitje e re, një mendim i ri entuziast që shteti i mbështet fuqishëm bujqit, me mjete financiare të pakthyeshme në formë granti deri në 10.000 euro për shfrytëzues”, tha ministri Nikollovski në manifestimin e sotëm.

You may also like