Më së fundi, shitjet e telefonave 5G mundin ato të 4G, falë iPhone

by admin
Spread the love

Numri i smartphone-ve të rinj me 5G të shitur në janar 2022 ishte më i lartë krahasuar me shitjet e telefonave të rinj me 4G – kjo rritje, në pjesën më të madhe vjen falë iPhone – edhe pse doli disi vonë në skenën e 5G.

Thuajse 4 vite pasi Verizon e T-Mobile vijuan të kalonin te rrjetet 5G në SHBA, shitjet mujore të smartphone-ve të rinj 5G kapërcyen shitjet mujore të smartphone-ve 4G.

Sipas Counterpoint Research, 51% e smartphone-ve 4G apo 5G të shitur në janar ishin të pajisur me 5G. Megjithatë, në Kinë, Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore, shitjet e telefonave 5G përfaqësojnë një pjesë shumë më të madhe se sa në mbarë botën.

Në Kinë, shitjet e telefonave 5G përfaqësojnë 84% të gjithë telefonave 4G apo 5G të shitur në janar. Ndërkohë, shitjet e telefonave 5G në Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore arritën përkatësisht 73% dhe 76%.

Apple, telefoni i parë 5G i së cilës, iPhone 12, doli në vitin 2020, sot mbizotëron tregun e shitjeve të telefonave të rinj 5G, sipas të dhënave të Counterpoint.

Bloomberg shkruan se iPhone përfaqësojnë 37% të telefonave 5G të shitur në botë në janar. Samsung – telefoni i parë 5G, Galaxy S10 5G doli në treg në 2019-n – përfaqëson vetëm 12% të shitjeve të telefonave 5G në janar, për shkak të mungesës së suksesit në Kinë. Vivo e Xiaomi përfaqësojnë secili 11% të shitjeve të telefonave 5G, ndërsa Oppo, 10%. Këto tre marka janë të përhapura në Kinë.

Ndërkohë që smartphone-t 5G po bëhen gjithnjë e më shumë normë në SHBA dhe në Europën Perëndimore, sfida tjetër e madhe për teknologjinë e rrjetit celular me shpejtësinë më të lartë janë telefonat 5G ekonomikë.

Apple iu përgjigj kërkesës për kosto të ulët me prezantimin këtë muaj të iPhone SE 2022 5G, i cili kushton 429 dollarë, duke e vënë në fashën mesatare të çmimeve për smartphone.

iPhone SE i vitit 2020 përfaqësoi 12% të të gjithë shitjeve të iPhone në periudhën mes T II 2020 dhe T IV 2020, sipas Counterpoint. Shoqëria e kërkimit Counterpoint pret që kërkesa për iPhone SE 5G të rritet në Europë, Azinë Juglindore dhe Kore, me zgjerimin e mbulimit të rrjetit 5G në këto rajone.

Në lidhje me Android, Counterpoint thotë se chip-at e Qualcomm dhe në veçanti MediaTek po ndihmojnë në rritjen e shitjeve të telefonave 5G, me smartphone-t e rinj të Xiaomi, OPPO dhe Vivo që kushtojnë rreth 200 dollarë.

“Azi-Paqësori, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine janë rajonet e ardhshme për OEM (Original equipment manufacturer – Prodhuesit e pajisjeve origjinale) për të rritur depërtimin e 5G. Modelet 5G në segmentin e çmimeve nën 150 dollarë janë pika e ëmbël për këto rajone, të cilat aktualisht mbizotërohen nga 4G” shpjegon analisti Counterpoint, Karn Chauhan.

/ ZDNet

 

 

You may also like