“Më jepni 24 orë kohë”, Gazment Bardhi zbulon propozimin që i bëri grupit të Berishës

by admin
Spread the love

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka informuar sot kolegët e tij të grupit parlamentar mbi bisedimet që po zhvillon me Edi Palokën. Bardhi ka informuar se ka paraqitur deri më tani disa propozime, ndërkohë që nuk ka marrë asnjë të tillë nga grupi tjetër. Ai u shpreh se nuk ka lëvizje nga idea për të njohur primaret dhe Statutin e tyre.

Burime nga mbledhje e grupit parlamentar bëjnë me dije se Bardhi u ka shpërndarë kolegëve draft propozimin që ka bërë me shkrim.

“Deri më tani nuk kam një përgjigje, por në parim më është thënë që është e vështirë për tu pranuar”, është shprehur Bardhi.

Bëhet me dije se shumica e deputetëve kanë kërkuar që Bardhi të deklarojë publikisht menjëherë pas mbledhjes, refuzimin e palës tjetër dhe përfundimin e bisedimeve, pasi sipas tyre duket qartë që pala tjetër kërkon zvarritjen e zgjidhjes dhe vendosjen para faktit të kryer.

“Duke mirëkuptuar shqetësimin tuaj të nderuar kolegë, ju lutem të më jepni edhe 24 orë kohë për të bërë edhe një përpjekje të fundit për të gjetur rrugët e bashkëpunimit”, mësohet të jetë shprehur Bardhi. Për këtë arsye mbledhja e Grupit Parlamentar është shtyrë për nesër në orën 15:00.

PARIMET PËR BASHKËPUNIMIT MES DEMOKRATËVE NË ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023

Nisur nga situata e brendshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjell një përplasje opinionesh dhe mendimesh për çështje të ndryshme;

Me synimin e vetëm të unifikimit të çdo zëri opozitar në zgjedhjet lokale dhe përfaqësimin në këto zgjedhje me vetëm një kandidat të përbashkët fitues për kryetar bashkie dhe një liste të unifikuar të kandidatëve të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak;

Është rënë dakord sa më poshtë vijon:

Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e demokratëve në nivel lokal për zgjedhjet vendore. Për këtë qëllim, duke respektuar mendimin e cilitdo për zhvillimet dhe çështjet e ndryshme brenda Partisë Demokratike, angazhohemi të krijojmë frymën e nevojshme të bashkëpunimit dhe fitores së zgjedhjeve lokale nga Partia Demokratike, duke ndërprerë dhe dënuar çdo sulm, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj mendimit ndryshe brenda partisë.

Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të cdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror dhe lokal, dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.

Përzgjedhjen e një kandidati përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me “sistem pikëzimi” dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 % e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve. Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtar të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron “të drejtën e ndërhyrjes”.

Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Demokratike për anëtar të Këshillave Bashkiak garanton përfaqësimin proporcional të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike. Përzgjedhja bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik.

Fushata zgjedhore drejtohet nga kandidati për Kryetar Bashkie në cdo njësi vendore, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues Politik, që përbën Shtabin e Fushatës Zgjedhore në nivel qendror dhe vendor.
Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe vendor pas konstituimit të tyre i bashkohen edhe përfaqësues të partive parlamentare të tjera opozitare.

You may also like