“Më duhet të iki, për fëmijët e mi”

by admin
Spread the love

Derisa po prisja në parking për të bërë pagesën, mu afrua personi që përkujdesej zakonisht për pagesat. Njeri në moshë të mesme me të cilin shpeshherë kishim shkëmbyer biseda të shkurta gjatë procedurës së kur bëja pagesën e parkingut.

Kishte energji që dëgjonte të gjitha debatet dhe të nxirrte përkufizime, të cilat jo rrallëherë ishin më të qëlluara se sa ato të debatuesve në studio.

Njerëzit që merren me përditshmëri, mund mos ta kenë oratorinë, por nga ata mund të mësosh shumë sepse jetën në Kosovë e përjetojnë ashtu siç iu vjen, larg reflektorëve të studiove dhe objektivit të kamerave.

Ata e ndjejnë çdo përkufizim të sinqertë që thuhet në studio. Dhe, shpresojnë se bisedat e shkurta kur ndjejnë një hall, mund të jenë temë e trajtimit për të arritur deri tek veshët e Qeverisë.

“Më fal që të marr pak kohë më tepër sesa zakonisht”, më tha. Nuk po ma merrte pagesën.

“Çfarë po ndodh?”, e pyeta i habitur.

“Unë po iki vet i gjashti nga ky vend”, mu drejtua dhe psherrrëtiu thellë.

“Pse”, e pyes si i zënë në faj.

“Fëmija im vuan nga një sëmundje e rrallë, vetëm jashtë vendit mund të trajtohet. I duhet hospitalizim për 1 vit. Shteti këtu tha se nuk ka mundësi të mi mbulojë shpenzimet”, tha duke psherëtirë.

Derisa fliste më ndërmendeshin skandalet me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, deklarimet e ministrit të Shëndetësisë që kërkonte kohë 5 deri në 10 vite për ta reformuar shëndetësinë në Kosovë.

Shëtitjet e tij si turist. Të gjitha këto më kalonin nëpër mendje derisa një prind ishte duke e bërë sakrificën për fëmijën e tij – të largohej për të mos u kthyer.

Paratë e pagesës më mbetën në grusht dhe veç po ma forconin lëmshin që mu mbledh në grykë.

Nuk gjeja t’i thosha asgjë më shumë njeriut që po luftonte për jetën e fëmijës së tij në rrethana kur në këtë vend vazhdojnë të mbeten të mbyllura shkollat, shëndetësia publike thuajse është tërësisht e shkatërruar, stafi shëndetësor ikë nga vendi, inflacioni ka depërtuar në xhepin e secilit dhe sikur kjo mos të mjaftojë, gjatë dimrit paralajmërohet edhe terri!

Derisa po largohesha, në kujtesë më mbeti vetëm dhembja e tij dhe psherëtima e njeriut që këputet nga rrënjët e vendit të vet. Shtrëngoja paratë që më mbeten në duar. Nisën të më djegin si zjarr.

Lexo lajme interesante

You may also like