Mbretëria e Bashkuar synon të dyfishojë importet e gazit nga SHBA, sipas marrëveshjes së re

by admin
Spread the love

Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord që të dyfishojë importet e gazit nga SHBA gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa përpiqet të stabilizojë çmimet e energjisë që kanë arritur nivele të larta.

Kryeministri Rishi Sunak tha se plani do të “ulë çmimet për konsumatorët britanikë dhe do të ndihmojë për t’i dhënë fund varësisë së Europës ndaj energjisë ruse”.

Rusia ka ndërprerë shumicën e furnizimeve të saj me gaz drejt Europës gjatë këtij viti, pas pushtimit të Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar nuk importon gaz nga Rusia në mënyrë të drejtpërdrejtë, por është goditur nga rritja e çmimeve të shitjes me shumicë të gazit në të gjithë kontinentin.

Sipas marrëveshjes, Mbretëria e Bashkaur synon të dyfishojë importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA, duke i çuar ato në 9-10 miliardë metra kub gjatë vitit të ardhshëm.

Kjo është e barabartë me rreth një të tetën e gazit që përdoret në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit.

Të dyja vendet do të nxisin gjithashtu bashkëpunimin për zhvillimin e teknologjive të reja bërthamore dhe të energjisë së gjelbër.

Partneriteti do të drejtohet nga një grup i ri veprimi i përbashkët mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, i udhëhequr nga zyrtarë të lartë nga qeveria britanike dhe nga Shtëpia e Bardhë. Takimi i parë virtual do të mbahet të enjten.

Duke përmendur luftën në Ukrainë, Sunak dhe Biden thanë në një deklaratë të përbashkët se është “më e rëndësishme se kurrë më parë” që aleatët të punojnë së bashku për të ndërtuar “sisteme ndërkombëtare të qëndrueshme”.

“Qëllimi ynë i përbashkët për të stabilizuar tregjet e energjisë, për të reduktuar kërkesën dhe për të siguruar furnizime në planin afatshkurtër, mbështetet nga objektivi afatgjatë për të përgatitur një tranzicion të qëndrueshëm të energjisë drejt arritjes së emetimeve neto zero deri në vitin 2050, i cili në vetvete do të forcojë sigurinë tonë energjetike”, thanë ata.

Nathan Piper, një analist i naftës dhe i gazit në Investec, tha se marrëveshja do të ndihmonte për të siguruar furnizimet me gaz në të gjithë Europën, ku importet e gazit nga Rusia janë ulur me më shumë se 80% krahasuar me vitin e kaluar.

Mbretëria e Bashkuar ka kapacitete të kufizuara për depozitimin e gazit, kështu që çdo tepricë e gazit ka të ngjarë të eksportohet përmes tubave ndërlidhës në Holandë dhe në Belgjikë, tha ai.

Megjithatë, ai tha se plani nuk ka gjasa të ulë ndjeshëm çmimet e shitjes me shumicë këtë dimër, pasi kërkesa po rritet. Ai tha gjithashtu se marrëveshja ishte më shumë një deklaratë qëllimesh, duke shtuar se “është një ambicie dhe jo një marrëveshje e sigurt”.

Në përgjithësi, eksportet e LNG-së nga SHBA janë kufizuar që kur një zjarr dëmtoi objektin e dytë më të madh të LNG-së në Amerikë në muajin qershor. Impianti Freeport LNG në Teksas pritet që të jetë plotësisht funksional përsëri vetëm në mars të vitit të ardhshëm.

Ka shqetësime se mbështetja e shtuar e Europës te furnizimet me LNG mund të pengojnë përpjekjet për të trajtuar ngrohjen globale.

Studimet e fundit kanë treguar se prodhimi dhe transporti i LNG shkakton deri në dhjetëfishin e emetimeve të karbonit në krahasim me gazin që vjen nga tubacionet./ BBC

You may also like