Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, këto janë vendimet që u morën nga anëtarët

by admin
Spread the love

Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës ka mbledhur anëtarësinë e saj dhe ka zhvilluar sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme.

Në punimet e asamblesë morën pjesë 23 anëtarë të përfaqësuar nga 34 delegatë, ndërsa në rendin e ditës ishin diskutimi i raportit të aktivitetit të Shoqatës, miratimi i pasqyrave Financiare, miratimi i buxhetit për vitin 2024, zgjedhja e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFD në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF si edhe miratimi i rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.

I pranishëm në punimet e kësaj mbledhjeje ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili vlerësoi punën e bërë nga SHRF Durrës dhe i siguroi anëtarët se FSHF do t’i mbështesë vazhdimisht në të gjitha projektet, qoftë në nivel amator, ashtu edhe në atë profesionist.

Pas verifikimit të delegatëve të Asamblesë, kryetari i SHRFD, Mikel Furxhi mbajti një fjalim të shkurtër ku prezantoi para të pranishmëve punën e bërë gjatë vitit 2023. Ai theksoi se Shoqata Rajonale e Futbollit Durrës i ka përmbushur me sukses të gjitha objektivat e vendosura, teksa ka pasur rritje të ekipeve dhe rritje të numrit të lojtarëve që janë angazhuar në futboll, sidomos pas projekteve të ndërrmara nga FSHF, “Topi im” dhe “Uniforma ime”.

Kryetari i SHFRD, Mikel Furxhi përmendi edhe disa nga kompeticionet e organizuara përgjatë vitit 2023 dhe theksoi se prioritet i shoqatës mbetet evidentimi i futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave.

Qëllimi i SHFRD në këtë katërvjeçar është rritja e numrit të fëmijëve që merret me futboll (djem dhe vajza), si dhe një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, si një element i rëndësishëm për zhvillimin e brezave të ardhshëm. Pushtetit vendor do t’i kërkohet një vëmëndje më e madhe për futbollin amator, që në të ardhmen të ndërtohen fusha të reja ose një kompleks rajonal për t’u vendosur në shërbim të SHRFD.

Më pas u vijua me miratimin e pasqyrave financiare dhe buxhetit, si edhe me zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFD në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF të propozuar nga anëtarësia. Pas votimit të anëtarëve të SHRFD u zgjodhën delegatë Mikel Furxhi, Adrian Dedja dhe Alfons Domi. U miratua edhe rregullorja e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.

Gjithashtu, Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës do i shtohen edhe dy anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: Shoqata Sportive “Akademia e Futbollit D04”, Shoqata Sportive “Epidamnos”. Të gjithë anëtarët e SHRFD votuan pro pranimit të këtyre shoqatave.

You may also like