Mashtrimi i qindra kosovarëve me viza, ndalohet një tjetër person

by admin
Spread the love

Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Përgjithshëm lidhur me rastin e mashtrimit të qindra qytetarëve, në të cilin kanë përfunduar të arrestuar më parë katër persona, më dje është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, personi me inicialet V.C., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe ndaj të njëjtit, prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar qindra qytetarë, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur dhe përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave.

Për këto shërbime të aplikimit, përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju është shkaktuar dëm material.

You may also like