Maqedoni: Paga minimale sa për ujë dhe bukë

by admin
Spread the love

Kosova edhe me rritjen në 250 euro të pagës minimale që pritet të hyjë në fuqi pas dritës së gjelbër në Kuvend, sërish do të ketë nivelin më të ulët të kësaj page në rajon.

Shqipëria me 38 mijë lekë apo afër 326 euro është afër Maqedonisë, ndërsa në Bosnjë, paga minimale për vitin 2023 është 596 marka konvertibile apo më pak se 300 euro.

Kampion i pagës minimale në rajon me 450 euro është Mal i Zi, ndërsa Serbia me afër 340 euro është afër mesatares së Maqedonisë. Në ndërkohë, paga minimale në Maqedoni nga muaji mars do të arrijë së paku 20 mijë denarë.

Me harmonizimin e saj me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, pritet që ajo të arrijë në 20.200 denarë apo afër 330 euro në vend të vlerës së tanishme prej 18 mijë denarë. Mirëpo kur kjo rritje krahasohet me atë të Malit të Zi dhe nivelin evropian të pagave minimale, del se ekzekutivi edhe nuk ka vend për shumë lëvdata për rritjen e pagës minimale.

NDRYSHIMI I METODOLOGJISË
Nga MPPS thonë se çdo vit në muajin mars paga minimale do të përshtatet sipas të dhënave të ESHS-së, apo me 50 për qind të rritje të kostos së jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare nga viti paraprak. Ministrja e këtij dikasteri, Jovanka Trençevska shpjegon se metodologjia e përllogaritjes së pagës minimale e miratuar në mars 2022, është një zgjidhje sistematike që parashikon rritje konstante të pagës minimale.

Njëherësh kjo zgjidhje nuk do të varet nga vullneti politik, por është në përputhje me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare. Mirëpo në kushtet e një inflacioni të madh, rritjes së çmimeve në çdo hap dhe shtrenjtimit të madh te jetesës, edhe një rritje e tillë pak do të bëjë punë për shkak se edhe me dy paga minimale apo me 660 euro nuk do të mbulohet as shporta minimale e sindikatave me një vlerë prej afër 830 euro ku përllogariten harxhimet e banimit, ushqimit, komunaleve. Me fjalë tjera edhe me rritjen e pagës minimale, mbijetesa për popullatën me paga të vogla është mjaft e vështirë.

Advertisement

Në ndërkohë, administrata tatimore në Shqipëri ka bërë me dije se duke filluar nga shtatori i vitit 2022, paga bazë minimale mujore në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 34 mijë lekë. Në ndërkohë pritet që në Shqipëri, paga minimale të rritet në 38 mijë lekë gjatë vitit 2023 .

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në seancën plenare në kuvend, ku diskutohej për buxhetin e vitit 2023. Rama u shpreh se në 6 mujorin e parë, paga minimale do të rritet në 36 mijë lekë dhe në 6 mujorin e dytë, do të shkojë në 38 mijë lekë.

Sipas tij, nga kjo rritje, do të përfitohen 21 milionë dollarë nga ata që paguhen me pagë minimale. “Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja.

Nga kjo rritje imediate, janë 21 milionë dollarë që do të përfitohen drejpërdrejt nga ata që paguhen me pagë minimale. për 100 mijë familje, janë 35 mijë lekë të vjetra që shtohen çdo muaj, falë rritjes dy herë gjatë këtij viti dhe falë edhe rritjes tjetër gjatë vitit që vjen”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale. Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Pas miratimit në parim të projektligjit, ministri i financave, punës dhe transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektligji do t’u ndihmojë më shumë se 100 mijë punëtorëve, të çilët paguhen më pak se 264 euro.

Mirëpo, projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka mbetur aty ku ka qenë në qershor. I miratuar në lexim të parë, për të hyrë në fuqi, ai duhet të kalojë edhe leximin e dytë dhe të tretë në Kuvendin e Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Sipas rregullores së Kuvendit, pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të procedohet në lexim të dytë brenda dy-tre muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në rajon, pagën më të madhe minimale e ka Mali i Zi me 450 euro që vitin e kaluar e rriti atë nga 250 euro apo për 80 për qind. Kroacia ka 560 euro me një rritje prej 12 për qind për një vit, ndërsa në Slloveni ajo arrin në 1074 euro.

Bullgaria si një nga shtetet më të varfra evropiane ka një pagë minimale prej 390 euro apo 780 leva. Në Serbi, paga minimale nga një janari 2023 është 40.020 dinarë, që paraqet një rritje prej 14.3 për qind në raport me vitin paraprak kur vlera e pagës minimale ishte 35 mijë dinarë.

TURQIA E RRIT NË 450 DOLLARË

Paga minimale mujore në Turqi do të jetë 455 dollarë në vitin 2023, duke pësuar një rritje prej 55 për qind nga niveli i përcaktuar në korrik. Duke folur në një konferencë për mediat, presidenti Tajip Erdogan tha se paga minimale mund të rritet përsëri gjatë gjithë vitit nëse është e nevojshme.

Inflacioni vjetor u rrit mbi 85 për qind në muajt e fundit, por ka filluar të zbutet lehtë. Erdogan tha se sindikatat e punëdhënësve dhe punonjësve nuk mund të arrinin një marrëveshje dhe qeveria ndërhyri për të përcaktuar rritjen. Rritja e fundit e pagës minimale ka shkaktuar shqetësim tek bizneset në Turqi pasi do të rriste koston për punëdhënësit.

Sipas tyre, pas rritjes së fundit, kosto e pagës minimale për punëdhënësit tani është 630 dollarë, ndërsa më parë ishte 410 dollarë. Punëdhënësit shprehen se me këtë rritje të re është e pamundur të mbahen në të njëjtin nivel çmimet e produkteve. Në këtë mënyrë, klientët globalë të bizneseve turke do të preferojnë vende të tjera për prodhim për shkak të rritjes së kostove në Turqi.

Drejtues të shoqatave të punëdhënësve theksojnë se ata nuk mund të konkurrojnë me vende si Bangladeshi, Vietnami, India, apo Kamboxhia dhe në këtë mënyrë do të humbasin klientët. Ndërsa, nga ana tjetër do të rezultojë në shkurtime të vendeve të punës. Sipas përllogaritjeve, nga rritja e re e pagës minimale sektori i tekstilit pritej të humbiste 10 për qind të fuqisë punëtore.

EVROPA E ZHVILLUAR ME 1000 EURO

Nga gjithsej 27 anëtarë të BE-së, 21 vende kanë një pagë minimale të përcaktuar me ligj, ndërsa ajo nuk ekziston në Qipro, Danimarkë, Itali, Austri, Finlandë dhe Suedi. Në bazë të pagave minimale bruto mujore, Eurostat i klasifikon vendet anëtare të be-së në tre grupe të ndryshme. Grupi i parë përfshin vendet me pagë minimale mbi 1500 euro në muaj dhe përfshin Luksemburgun, Belgjikën, Irlandën, Holandën, Gjermaninë dhe Francën.

Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1.646 euro në Francë deri në 2.313 euro në Luksemburg. Në grupin e dytë janë “pagat minimale” më të mëdha se 1000, por më të ulëta se 1500 euro në bazë mujore. Në këtë grup bëjnë pjesë Spanja dhe Sllovenia dhe pagat më të ulëta të tyre ishin 1074 euro në Slloveni dhe 1166 euro në Spanjë.

Fitimet minimale nën 1000 euro në muaj janë në grupin e tretë ku bëjnë pjesë Portugalia, Greqia, Malta, Lituania, Çekia, Estonia, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Hungaria, Rumania, Letonia dhe Bullgaria. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 363 euro në Bullgari deri në 823 euro në Portugali.

You may also like