Makineria e Man.City, kush mund ta ndalojë ekipin e Pep Guardiolës?

by admin
Spread the love

Manchester City është bërë skuadra e parë në Premier League që e fiton titullin tre herë radhazi, që nga koha kur rivalët qytetas të Manchester United arrinin diçka të tillë në sezonet 2006/07, 2007/08, 2008/09.

Mënyra se si Citizens ia dolën këtë sezon është vërtetë e jashtëzakonshme, pasi rekuperuan 8 pikë për të parakaluar Arsenalin dhe për të festuar titullin të dielën në ”Etihad Stadium” pasi mundën 1-0 Chelsean.

Falë gjenialitetit të Guardiolës, Manchester City ka vendosur standarde shumë të larta dhe një dinasti që do të vijë vetëm duke u konsoliduar. Nga shumë opinionistë në futbollin anglez, skuadra që Guardiola ka në dispozicion tek City këtë sezon konsiderohet më e mira, që kur tekniku u emërua në vitin 2016. Nuk kontestohet në asnjë mënyrë organika që Pep ka pasur në sezonet e shkuara, pasi edhe në sezonin 2018/19 apo në sezonin 2020/21, Guardiola krijoi një makineri të frikshme, por kontigjenti i këtij sezoni, i shoqëruar me harmoninë, përvojën dhe urinë që kanë të gjithë lojtarët së bashku është e pabesueshme.

Por, ekipi i edicionit 2022/23 qëndron përballë dy provave finale, ku nëse i kalon me sukses, meriton të quhet jo vetëm skuadra më e kompletuar e Guardiolës që nga koha kur ky i fundit mori drejtimin në ”Etihad”, por edhe një nga skuadrat më të mira në historinë e futbollit anglez, krahas Man. United që fitoi tripletën në edicionin 1998/99, Arsenalit që fitoi Premier League pa asnjë humbje në edicionin 2003/04 apo dhe Chelseat që fitoi kampionatin nën drejtimin e Mourinhos në edicionin 2004/05, duke pësuar vetëm 15 gola përgjatë gjithë sezonit.

Manchester City është vetëm dy ndeshje larg përjetësimit në librat e artë të futbollit, ku i duhet të fitojë finalen e FA Cup përballë Man.Utd dhe finalen e Champions League përballë Interit, për të konsoliduar statusin e saj madhështor jo vetëm në ishull, por edhe në Europë.

Në sezonin e ardhshëm, Manchester City do të mbetet përsëri skuadra për t’u mundur, pavarësisht ambicieve të Arsenal, Liverpool, Manchester United, Newcastle apo dhe Chelsea që mund të ringrihet me Mauricio Pochetinon. Erling Haaland ka rezultuar si një revolucion total në sulmin e Man.City, me repartin ofensiv që u kthye nga një pikë e dobët në kohën e Gabriel Jesus, në armën më të fortë me sulmuesin norvegjez që tashmë po thyen rekord pas rekordi e po udhëheq përpara ekipin. Qofshin milionat, transferimet e bujshme apo ndryshimi i trajnerëve, në Angli ende nuk e kanë zgjidhur ekuacionin se si mund të ndalin makinerinë rrafshuese të Pep Guardiolës. /Supersport


Top Channel

You may also like